DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Urimi i Presidentes Jahjaga me rastin e festës së Kurban Bajramit

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, me rastin e Ditës së Kurban Bajramit, ka uruar kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiun Naim Tërnava dhe të gjithë besimtarët myslimanë.

Në urim thuhet: Kur po i afrohemi përmbylljes së pelegrinazhit të Haxhit në Mekë, njërës prej shtyllave qendrore të fesë islame, të gjithë besimtarëve myslimanë dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës ju uroj Kurban Bajramin, këtë festë të mirëkuptimit dhe të harmonisë në familje e me miq dhe shtrirjes së dorës së solidaritetit ndërmjet njerëzve. Kjo festë e Kurban Bajramit, e reflektimit të marrëdhënieve të secilit individ me Zotin, le të shërbejë si një mundësi që gjithashtu të reflektojmë për punën  dhe angazhimet tona, për obligimet që kemi ndaj njëri-tjetrit, familjes, miqve dhe shoqërisë dhe për ndihmën që japim për secilin njeri. Në këtë ditë të besimit në Zotin, ditë të mirëkuptimit, të nderimit dhe respektit për njëri-tjetrin, të vazhdojmë kultivimin e traditave tona të bazuara në parimet e shoqërisë sonë të respektimit e kujdesit për njëri-tjetrin, të shtrirjes së dorës së mirësisë dhe mbi të gjitha të kultivimit të harmonisë e tejkalimit të dallimeve në shoqërinë tonë, të ndërtuar mbi vlerat e diversitetit etnik, kulturor e fetar.    Sot,  me respekt të veçantë, t’i kujtojmë të gjithë ata që u angazhuan dhe sakrifikuan për të sotmen tonë, që vendosën bazat e shtetit dhe të demokracisë sonë, që na obligon ta ndërtojmë të ardhmen më të mirë, pjesë të pandarë të popujve të lirë dhe me respekt për të gjithë ata miq që na qëndruan përkrah, në çdo kohë dhe në çdo situatë. Kjo festë të na gjejë të bashkuar, të vendosur dhe të përkushtuar, që të përballemi me të gjitha sfidat që na dalin përpara në rrugëtimin tonë drejt të ardhmes së sigurt euro-atlantike. Me fat Kurban Bajrami! 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.