DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Urimi i Presidentes Jahjaga me rastin e Ditës së Kurban Bajramit

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, me rastin e Ditës së Kurban Bajramit, ka uruar kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiun Naim Tërnava dhe të gjithë besimtarët mysliman

Në urim thuhet:

I nderuari Myfti Tërnava, Juve, të gjithë besimtarëve myslimanë dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, ju uroj Kurban Bajramin, këtë festë të mirëkuptimit, harmonisë në familje dhe shtrirjes së dorës së solidaritetit ndërmjet njerëzve.

Në këtë ditë të veçantë, uroj që të gjithë besimtarët myslimanë, në begati dhe në harmoni, të festojnë me familjarët, miqtë dhe me më të dashurit e tyre. Uroj që në secilën familje të ketë shëndet, mirëqenie dhe gëzim. 

Të shtrijmë dorën e ndihmës dhe të solidaritetit për të gjithë ata që kanë nevojë dhe me krenari të vazhdojmë ta kultivojmë traditën e tolerancës dhe të respektit për qytetarët tanë të besimeve dhe kulturave të ndryshme, si një ndër vlerat me të çmuara të shoqërisë sonë.

Republika e Kosovës është përcaktuar për ndërtimin e  të ardhmes euroatlantike, si pjesë e familjes së shteteve të lira dhe demokratike ku respektohen të drejtat dhe liritë e secilit qytetarë pa dallim. Kjo festë e Kurban Bajramit, të na shërbejë si një mundësi për të reflektuar për punën dhe sukseset që kemi arritur si individë dhe si shoqëri në realizimin e këtij synimi.

Sot  me respekt të veçantë, t’i kujtojmë të gjithë ata që u angazhuan dhe sakrifikuan që ne sot të jemi pjesë e popujve të lirë.

Me fat Kurban Bajrami!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.