DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

U mbajt takimi i dytë i Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit

Nën drejtimin e Presidentes së Republikës së Kosovës, zonjës Atifete Jahjaga, sot në Prishtinë u mbajt takimi i dytë i Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, temë e të cilit ishte shqyrtimi i kornizës legjislative dhe identifikimi i mënyrave për fuqizimin e kornizës ligjore ekzistuese për luftimin e korrupsionit.

Pas fjalimit hyrës të Presidentes Jahjaga, me nga një fjalë rasti janë paraqitur edhe zëvendëskryeministri e ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, z.Hajredin Kuçi, si dhe zëvendësshefi i Misionit të EULEX-it, z.Andy Sparkes.Në vijim po japim fjalimin e Presidentes Jahjaga:Të nderuar anëtarë të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsion,I nderuar zëvendëskryeministër Kuçi,I nderuari ministër Rexhepi,I nderuari z. Peci,Të nderuar përfaqësues të Prokurorisë së Shtetit,I nderuari z. Sparks,Të nderuar përfaqësues të mediave,Ju dëshiroj mirëseardhje në takimin e dytë të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, në temën: Zbatimi i programit legjislativ në sferën kundër korrupsionit.Jam e bindur se me paraqitjet e juaja konkrete do të ndihmoni shtjellimin e kësaj teme dhe duke e analizuar gjendjen konkrete dhe propozimin e masave që lufta jonë kundër korrupsionit si shoqëri, të japë rezultate.Dëshiroj ta filloj këtë takim duke ngritur disa nga çështjet që i kemi diskutuar në takimin përurues të këtij Këshilli. Të gjithë ne shprehëm përkushtimin tonë për të ndërmarrë veprime konkrete kundër korrupsionit. Theksuam nevojën për të bashkërenduar përpjekjet dhe veprimet tona institucionale; duke diskutuar çështjet kyçe dhe ofrimin e rekomandimeve konkrete për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit. Korrupsioni është një e keqe që po kërcënon shoqërinë tonë, integritetin institucional të shtetit tonë dhe rrugën tonë drejt prosperitetit. Ky fenomen dëmton stabilitetin ekonomik sepse krijon klimë jo të sigurt dhe të pavolitshme dhe largon investimet e huaja si dhe ul nivelin e kapitalit të huaj. Kosova ofron kushtet e nevojshme për të tërhequr investime të huaja, por korrupsioni po e rrezikon klimën favorizuese të tregut tonë, duke mos reflektuar një treg serioz që respekton parimet e lirisë së tregut. Por, duke reflektuar një treg ku ryshfeti përcakton rregullat e lojës.Korrupsioni e rrezikon moralin e shoqërisë sonë, duke u përdorur si instrument i përzgjedhur i qytetarëve për të kryer punë. Ne si shoqëri dhe institucione e kemi për obligim që të eliminojmë bindjet se rruga më e lehtë dhe më e shkurtër drejt arritjes së qëllimeve të caktuara është korrupsioni.Nëse nuk jemi efikas dhe plotësisht të suksesshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, atëherë ne po rrezikojmë të shndërrohemi në një shoqëri në të cilën fëmijët tanë do të rriteshin në një ambient, ku formë për arritje të suksesit do ta konsideronin miton dhe korruptimin. Ne duhet të parandalojmë që dukuria e korrupsionit të bëhet kulturë e punës së institucioneve shtetërore dhe, edhe më keq, kulturë e jetës së përditshme të shoqërisë sonë. Prandaj, të gjithë ne së bashku duhet të mobilizohemi që ky fenomen të mos e ndryshojë fytyrën dhe imazhin e shoqërisë sonë.Korrupsioni po kërcënon edhe sigurinë publike. Po rrezikojmë që interesi përfitues korruptiv individual të vihet mbi interesin e shtetit dhe mbi interesin e qytetarit. Po rrezikojmë që interesat e disa individëve dhe grupeve të konsiderohen më të rëndësishme se të drejtat e qytetarëve të shtetit tonë. Interesat e këtyre shkelësve të ligjit bien ndesh me të drejtat dhe liritë e qytetarëve.Askush nuk është mbi ligjin dhe ky është parimi me të cilin e luftojmë çdo tendencë apo dukuri të korrupsionit, pa marrë parasysh se kush qëndron prapa saj, individ, grupacion apo klan. Sado të fuqishëm që pretendojnë të jenë ata, asnjëherë nuk mund të vihen mbi interesat e shtetit.Republika e Kosovës po e dëshmon veten çdo ditë si shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, në marrëdhënie me partnerë ndërkombëtarë. Por, po rrezikojmë që korrupsioni të bëhet dukuri dominuese e imazhit që reflektohet, duke na kërcënuar pozitën tonë në arenën ndërkombëtare. Duke na kërcënuar në përpjekjet tona të vazhdueshme për të rritur numrin e njohjeve dhe për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare. Gjatë rrugës drejt konsolidimit të shtetit demokratik, ne kemi pasur dhe vazhdojmë ta kemi përkrahjen e partnerëve dhe miqve tanë ndërkombëtarë; prandaj nuk duhet t’i zhgënjejmë as ata e as veten. Përkrahja ndërkombëtare ka qenë aq e rëndësishme për arritjet tona, saqë nuk duhet të lejojmë që korrupsioni të dobësojë marrëdhëniet mes nesh.Luftimi i korrupsionit do të jetë një strategji gjithëpërfshirëse, të cilën pa dyshim se do ta udhëheqin institucionet. Por përpjekja jonë për të luftuar këtë fenomen, që po prek të gjitha fushat e jetës, do të jetë e suksesshme kur edhe vet qytetari jep kontributin e vet. Ne si shoqëri do të krijojmë asi ambienti që secili qytetar me krenari dhe ndershmëri do të paraqesë pranë organeve përkatëse rastet korruptive. Për këtë kemi krijuar dhe do të krijojmë të gjithë mekanizmat e nevojshëm që qytetari të jetë plotësisht i mbrojtur dhe i shpërblyer për ndërgjegjen e tij qytetare në funksion të rendit dhe ligjit. Bashkëpunimi i qytetarëve me institucionet është i rëndësisë së veçantë për luftimin e korrupsionit.Ne si shoqëri, me angazhimin e gjithë faktorëve, sidomos të shoqërisë civile, të mediave, të sistemit shkollor edukativ, duhet të krijojmë ndërgjegjësim të qytetarëve për dëmet dhe pasojat e korrupsionit, që si një dukuri e shëmtuar rrit varfërinë dhe dëmton themelet institucionale të shtetit, dëmton sundimit e ligjit dhe prish vlerat morale të shoqërisë. Korrupsioni gjithherë është i lidhur me krimin e organizuar dhe nxit e ndihmon veprimtaritë kriminale. Korrupsioni është një ndërlidhje e bizneseve të këqija dhe zyrtarëve të korruptuar të vendit, që rrënon bazën ekonomike dhe besimin e qytetarëve në institucione.Korrupsioni është një rreth vicioz që duhet ta thyejmë. I korruptuar nuk është vetëm ai që pranon mito/ryshfet por edhe ai që e ofron atë. Ndërgjegjësimi i qytetarit për të mos qenë pjesë e këtij rrethi dhe për të denoncuar me përkushtim çdo sjellje korruptive është masa më e mirë parandaluese për çrrënjosjen e korrupsionit.Lufta kundër korrupsionit fillon seriozisht kur ndërtohet infrastruktura adekuate ligjore dhe sigurohet zbatimi i plotë i saj. Këto çështje u identifikuan dhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, si faktorë që zbehin efikasitetin e luftës kundër korrupsionit. Ne tashmë kemi paketën e ligjeve kundër korrupsion, e cila po plotësohet dhe duhet të plotësohet me ligje te reja edhe me propozimet që u dhanë në takimin e parë dhe në këtë rrugë e kemi përvojën dhe ndihmën e Bashkimit Evropian. Është normë që të gjitha këto ligje të jenë në përputhje me aki-komuniter. (acqui communautaire).   Republika e Kosovës aspiron të jetë anëtare e plotë e Bashkimit Evropian. Marrëdhëniet me shtetet e Bashkimit Evropian janë marrëdhënie të ndërsjella dhe ne duhet të reflektojmë, se jemi partner serioz, i vendosur të përmbushë të gjitha standardet  e nevojshme për t’u bërë anëtar me të drejta të barabarta në familjen e Bashkimit Evropian.Në takimin e kaluar u identifikuan disa nga mangësitë në kornizën ligjore, si dhe nevoja për një bashkërendim më efikas institucional në zbatimin e saj.U rekomandua që korrupsioni të trajtohet si vepër penale në kodin e ri penal. Duke theksuar nevojën që mosdeklarimi apo deklarimi i rremë i pasurisë të sanksionohet si vepër penale. Si dhe u shpreh nevoja e unifikimit të kategorisë së veprave penale që hyjnë në fushën e korrupsionit. Këto rekomadime do të shërbenin në plotësimin e mëtejmë të kornizës ligjore.Nevoja për kornizë adekuate ligjore dhe zbatimi i plotë i saj është i domosdoshëm për të parandaluar që perceptimet të mos interpretohen si fakte. Prandaj, ashtu siç kemi rekomanduar, krijimi i një sistemi të përbashkët të statistikave për trajtimin e veprave korruptive ofron një pasqyrë reale për numrin e veprave korruptive të hetuara dhe të gjykuara. Ky sistem do të identifikonte ngecjet nga hetimi paraprak, tek ndjekja penale, e deri tek gjykimi i rastit.Duhet të vazhdojmë me reformën e nevojshme në prokurori dhe gjyqësi, duke pasur organe të pavarura, efikase e profesionale të ndjekjes, prokurorisë dhe gjykatave. Të maten efikasiteti dhe rezultatet e punës së këtyre organeve. Duke funksionuar të gjitha hallkat që lidhin veprimet e zbulimit, hetimit, procedimit dhe ndëshkimit  të korrupsionit.Të nderuar pjesëmarrës,Në përfundim, më lejoni të ritheksoj se lufta kundër korrupsionit është një nga angazhimet tona kryesore në shtetndërtim dhe në zhvillimin e proceseve demokratike të vendit tonë. Zbatimi i plotë i parimit “zero tolerancë ndaj Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar” është investimi ynë në rrugën e integrimeve euroatlantike. Të gjithë: si institucione, si shoqëri dhe si qytetarë duhet të jemi të përkushtuar në zbatimin e strategjisë gjithëpërfshirëse me masat ndëshkuese dhe parandaluese për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, sepse korrupsioni pengon zhvillimin e vendit, pengon sundimin e ligjit, pengon zhvillimin e proceseve demokratike, pengon ndershmërinë si vlerë qytetare, pengon forcimin  e institucioneve, pengon procesin e integrimeve euroatlantike dhe perspektivën evropiane të Kosovës, pengon ardhjen e investimeve dhe kapitalit të huaj në vendin tonë.Për këtë unë, si Presidente e Kosovës, kam themeluar këtë këshill Kundër Korrupsion, për të koordinuar dhe bashkërenduar të gjitha veprimet institucionale, me angazhimin edhe të shoqërisë civile dhe të faktorëve të tjerë relevantë dhe takimi i sotëm po tregon se ne bashkërisht po arrijmë rezultate dhe bashkërisht do ta fitojmë këtë luftë.Ju faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.