U. d Presidentja e Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani – Sadriu, në vazhdën e takimeve zyrtare në Zvicër, u takua me z. Alex Kuprecht, President i Senatit Zviceran (Këshillit të Shteteve).
“Përveç se u rikonfirmua raporti i shkëlqyeshëm ndërmjet Kosovës e Zvicrës, u potencua fakti se në këtë drejtim ka kontribuar dukshëm edhe diaspora jonë e jashtëzakonshme”, ka thënë u.d presidentja Osmani.
Të dy bashkëbiseduesit kanë diskutuar edhe për rëndësinë e bashkëpunimit me Zvicrën në drejtim të fuqizimit të sundimit të ligjit, si bazë për konsolidimin e shtetndërtimit, por edhe funksionimit të suksesshëm të shtetit.
“Konstatuam se një punë serioze në këtë drejtim, përveç se ndikon në përmirësimin e mirëqenies të qytetarëve të Kosovës, është edhe mesazh i suksesit ndaj miqve e aleatëve tanë”, ka theksuar u.d presidentja.
Në anën tjetër, z. Kuprecht konfirmoi se Zvicra do të angazhohet gjithmonë për Kosovën.
U.d presidentja Osmani dhe z. Kuprecht, diskutuan edhe për mundësitë e investimeve në fusha të ndryshme, dhe për mundësitë e krijimit të vendeve të punës.
“Diskutuam për mundësitë që ekzistojnë drejt tërheqjes së investimeve në fusha të ndryshme të ekonomisë, fuqizimit të grave dhe krijimit të vendeve të punës për të rinjtë. Takimet e sotme shënojnë hapa të rëndësishëm drejt arritjes së këtyre objektivave”, ka thënë u.d presidentja Osmani.