Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, zhvilloi takim me Presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, në margjinat e Samitit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) në Sofje.
Në takim u diskutua për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, si dy vende fqinje me interes të përbashkët për stabilitetin rajonal, lidhshmërinë dhe integrimin evropian.
U.D. Presidentja Haxhiu theksoi rëndësinë e vazhdimit të mbështetjes së ndërsjellë në organizata ndërkombëtare, përfshirë mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe për një rrugë më të qartë drejt NATO-s.
Një pjesë e bisedës iu kushtua edhe projekteve infrastrukturore që lidhin drejtpërdrejt dy vendet, përfshirë autostradën Bllacë-Shkup dhe projektin e tunelit Tetovë-Prizren, si projekte me rëndësi për lëvizjen e qytetarëve, tregtinë dhe zhvillimin ekonomik.


