...

U.D. Presidentja Haxhiu priti korin “Siparantum” dhe ndau mirënjohje për kontributin e tyre në promovimin e artit dhe kulturës së vendit

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim anëtarët e korit “Siparantum”, pas suksesit të tyre në Kuala Lumpur, ku fituan dy medalje të arta dhe një çmim special.

Gjatë takimit, U.D. Presidentja Haxhiu ndau mirënjohje për korin ‘Siparantum’, për përfaqësimin dinjitoz të Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe kontributin në promovimin e artit dhe kulturës së vendit

“Përballë më shumë se 200 koreve nga vende të ndryshme të botës, ju u paraqitët me vepra që bartin muzikën, kulturën dhe historinë tonë. Një vend të rëndësishëm në repertorin tuaj e zë muzika e kompozitorëve shqiptarë, të cilën po e prezantoni para publikut ndërkombëtar”, tha U.D. Presidentja Haxhiu.

Ajo veçoi punën e dirigjentit dhe kompozitorit Memli Kelmendi, si dhe përkushtimin me të cilin është zhvilluar kori ndër vite.

“Ju përgëzoj të gjithëve, e në veçanti dirigjentin dhe kompozitorin Memli Kelmendi, për punën dhe përkushtimin me të cilin e keni bërë korin ‘Siparantum’ të njohur në skenën ndërkombëtare”, theksoi U.D. Presidentja.

Në fund, U.D. Presidentja Haxhiu u uroi anëtarëve të korit që të vazhdojnë ta nderojnë Kosovën me punën dhe sukseset e tyre.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.