...

U.D. Presidentja Haxhiu pranoi letrat kredenciale të Ambasadorit të Australisë, Glenn Robert Morrison

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, pranoi sot letrat kredenciale të Ambasadorit të Australisë në Kroaci, me akreditim jorezident në Republikën e Kosovës, Glenn Robert Morrison.

U.D. Presidentja Haxhiu i uroi Ambasadorit Morrison mirëseardhje në Kosovë dhe suksese në detyrën e re, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen që Australia i ka dhënë Kosovës gjatë luftës, për njohjen e hershme të pavarësisë dhe për përkrahjen e vazhdueshme në vitet që pasuan.

“E çmojmë lart mbështetjen që Australia i ka dhënë Kosovës në periudha vendimtare për vendin tonë, si dhe përkrahjen e saj të vazhdueshme pas shpalljes së pavarësisë”, tha U.D. Presidentja Haxhiu.

Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e zgjerimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Australisë, veçanërisht në ekonomi, investime, arsim, teknologji dhe siguri.

“Pavarësisht largësisë gjeografike, vendet tona kanë ndërtuar marrëdhënie të mira, të cilat forcohen edhe nga komuniteti shqiptar që prej dekadash është pjesë e shoqërisë australiane. Ka hapësirë që këtë afërsi ta shndërrojmë në bashkëpunim edhe më të madh në fusha me interes të përbashkët”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.

U.D. Presidentja Haxhiu theksoi gjithashtu progresin që ka shënuar Kosova ndër vite në forcimin e shtetit dhe të demokracisë, në avancimin e pozitës së saj ndërkombëtare, si dhe synimet e vendit për zhvillim të mëtejshëm.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.