Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sonte në pritjen e organizuar me rastin e përmbylljes së mandatit të Shefit të EULEX-it, Gjeneralmajor Giovanni Pietro Barbano.
Me këtë rast, në fjalën e saj U.D. Presidentja Haxhiu tha se marrëdhënia ndërmjet Kosovës dhe EULEX-it është zhvilluar rreth çështjeve të vështira dhe të ndjeshme.
Ajo, ka veçuar punën e Misionit në fusha me rëndësi të veçantë për shoqërinë tonë, përfshirë drejtësinë tranzicionale dhe reagimin institucional ndaj dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore.
“Pikërisht për shkak të ndjeshmërisë së këtyre çështjeve, dialogu ka pasur gjithmonë rëndësi. Institucionet i shërbejnë më së miri qytetarëve kur flasin qartë, dëgjojnë me kujdes dhe e mbajnë përgjegjësinë ndaj qytetarëve në qendër të veprimit”, është shprehur U.D. Presidentja Haxhiu.
U.D. Presidentja Haxhiu, tha se gjatë mandatit të tij si Shef i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano ka bartur një përgjegjësi të rëndësishme në një periudhë të ndjeshme.
“Kosova e vlerëson profesionalizmin, seriozitetin institucional dhe qasjen e respektueshme. Dëshiroj të shpreh vlerësimin tim për përgjegjësinë që keni mbajtur në këtë detyrë, si dhe për shërbimin dhe bashkëpunimin tuaj”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo tutje tha se misionet ndërkombëtare, për nga natyra e tyre, janë të përkohshme, duke shtuar tutje se institucionet nuk janë.
“Prandaj, matësi i vërtetë i bashkëpunimit nuk është sa gjatë qëndron një mision, por sa më të forta, më të përgjegjshme dhe më të pavarura bëhen institucionet shtetërore. Në Kosovë, institucionet janë forcuar në kapacitet, profesionalizëm dhe përgjegjësi, dhe vazhdojnë t’i kryejnë detyrat kushtetuese e demokratike që i takojnë Republikës”, tha U.D. Presidentja.
Në fund, U.D. Presidentja Haxhiu i ka uruar suksese z. Giovanni Pietro Barbano, në angazhimet e tij të ardhshme.
“Shpresoj që nga Kosova të merrni me vete kujtimin e një vendi të ri në shtetësi, të qartë në vullnetin e tij demokratik dhe thellësisht të përkushtuar ndaj drejtësisë dhe të ardhmes evropiane”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.





