DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

U.D. i Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi priti përfaqësuesit e rrjetit të OJQ-ve “Demokracia në Veprim”

Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, Dr. Jakup Krasniqi priti sot në takim përfaqësuesit e rrjetit të OJQ-ve “Demokracia në Veprim”, të cilët do të bëjnë monitorimin e zgjedhjeve të 12 dhjetorit.

“Ne e patëm një bisedë të shkurtër me një delegacion të “Demokracisë në Veprim”. I falënderova për angazhimet e tyre që kanë për gjithë vëzhgimin ose monitorimin edhe të fazës parazgjedhore, edhe fazës së fushatës, por edhe në ditën e votimit. Ne e vlerësojmë lart angazhimin e “Demokracisë në Veprim” për të ndihmuar procesin zgjedhor në Republikën e Kosovës, për të dhënë kontributin e tyre në monitorimin e këtyre zgjedhjeve që janë të rëndësishme për Kosovën dhe për institucionet që do të dalin nga zgjedhjet”, tha në një deklaratë pas takimit Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, Dr. Jakup Krasniqi.“Nga ana jonë, ne e mbështetëm “Demokracinë në Veprim” për punën që do ta bëjnë gjatë kësaj periudhe, duke kërkuar që angazhimi i tyre të jetë në shërbim të demokracisë, në shërbim të zgjedhjeve të lira, të drejta dhe në këtë drejtim kam besim që “Demokracia në Veprim” do të vazhdojë t’i kryejë detyrat ashtu siç i ka marrë edhe vet përsipër”, tha ai.Ndërsa Ismet Kryeziu, udhëheqës i rrjetit të OJQ-ve “Demokracia në Veprim” u shpreh pas takimit: “Ne sot e informuam si “Demokraci në Veprim” Zyrën e Presidencës të Kosovës me përgatitjet të cilat jemi duke i bërë për procesin zgjedhor, me zhvillimet të cilat janë duke ndodhur në terren dhe me angazhimet tona në krejt vazhdimësinë tani ku jemi në monitorimin e fushatës zgjedhore, monitorimin e kostos së subjekteve politike ose fushatës zgjedhore, monitorimin e medieve të shkruara dhe elektronike dhe planet tona për angazhimin e vëzhguesve tanë në procesin zgjedhor, kryesisht në ditën e zgjedhjeve”. I pyetur çka konsideroni si sfidë gjatë monitorimit të procesit zgjedhor të 12 dhjetorit, z. Kryeziu theksoi: “Mendoj që procesi zgjedhor si proces në tërësi është sfidë. Është një proces i cili prodhon institucionet, prodhon të drejtën e qytetarëve nga dita e zgjedhjeve edhe si tërësi është sfidë. Me angazhimin dhe përkushtimin tonë në vazhdimësi mendoj se do ta tejkalojmë. Sfidë ka qenë koha e shkurtër, e cila na është nevojitur në këtë proces për vrojtimin e vëzhguesve, për trajnimin e vëzhguesve por edhe përgatitjet tjera teknike për 5000 vëzhgues të cilët i ka Demokracia në Veprim, kjo ka qenë sfidë, por tani jemi në fazën finale në trajnimet në terren dhe mendoj se jemi me një dinamikë dhe me një plan të veprimit më të përshpejtuar dhe jemi duke e tejkaluar edhe këtë sfidë”.Ndërkaq, i pyetur a do të marrë pjesë “Demokracia në Veprim” edhe në monitorimin e zgjedhjeve në veri, z.Kryeziu u shpreh: “Ne do të marrim pjesë në veri. Së bashku me neve është edhe një partner i komunitetit serb, do të thotë ne kemi të angazhuar vëzhguesit serbë me të cilët i kemi bërë trajnimet dhe aktivitetet e tjera edhe i kemi në të gjitha vendvotimet e Kosovës, i mbulojmë pa dallim regjioni ose pjese nga janë”.A do të kërkohet mbështetja e misioneve ndërkombëtare, posaçërisht EULEX-it, për veriun e Kosovës, për t’i mbrojtur kutitë dhe për t’i mbrojtur vendvotimet, ishte pyetja për U.D. të Presidentit, z. Jakup Krasniqi. “Po ne kemi kërkuar nga të gjitha mekanizmat ndërkombëtarë edhe në Kosovë por edhe jashtë Kosovës që të monitorojnë zgjedhjet e 12 dhjetorit dhe ne besojmë dhe shpresojmë se kudo që është nevoja edhe EULEX-i, por ndoshta edhe KFOR- do t’i kryejnë detyrat e tyre që do të kërkohen nga institucionet e Kosovës, por gjithnjë duhet të kemi parasysh punën që duhet ta kryejnë institucionet e Kosovës”, tha ai, duke shtuar se përgjegjësitë kryesore janë te institucionet dhe mekanizmat që ka krijuar shteti i Kosovës.I pyetur a i keni bërë kërkesë Këshillit Evropian për t’i monitoruar zgjedhjet dhe si i shihni thirrjet që Policia e Kosovës në pjesën veriore, kur është fjala për serbët, të mos i mbikëqyrin zgjedhjet, U.D. i Presidentit theksoi: “Ju e dini që Kosova nuk përfaqësohet në Këshillin e Evropës. Megjithatë, si institucione nuk i kemi bërë kërkesën dhe as që është kërkuar, por të gjitha institucioneve të tjera dhe Bashkimit Evropian i kemi bërë ftesë me kohë. Megjithatë, do të ketë një monitorim ndoshta jo sikur që do të ishte sikur zgjedhjet të mbaheshin të rregullta, por besoj se monitorimi do të jetë edhe nga Rrjeti i Organizatave Evropiane për Monitorim, do të jetë edhe nga Demokracia në Veprim, të gjitha partitë politike do t’i kenë komisionarët dhe vëzhguesit e tyre dhe presim që ata t’i kryejnë detyrat e tyre me përgjegjësi ashtu siç e jep ligji. Ne besojmë që zinxhiri komandues i Policisë së Kosovës është një zinxhir komandues dhe gjithë Policia e Kosovës e ka përgjegjësinë për t’i kryer obligimet e veta ashtu siç e ka me ligj dhe me Kushtetutë”.Ndërsa, i pyetur kush do të bëjë certifikimin e zgjedhjeve të 12 dhjetorit, z. Krasniqi u përgjigj: “Certifikimin e zgjedhjeve të 12 dhjetorit e bën Komisioni Qendror Zgjedhor dhe pastaj fjalën e fundit e jep Presidenti në detyre. Tashmë ne e kemi Presidentin në detyrë dhe edhe pse Presidenti në detyrë në një mënyrë është pjesë e këtyre zgjedhjeve, por do të përpiqem që detyrat që i jep ligji dhe kushtetuta t’i kryej ashtu siç e jep ligji dhe kushtetuta”.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.