presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

U.D. i Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi mbajti një fjalë në Konferencën Ndërkombëtare “Sovraniteti dhe të Drejtat e Njeriut”

Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi mbajti sot një fjalë përshëndetëse në Konferencën Ndërkombëtare “Sovraniteti dhe të Drejtat e Njeriut”, e organizuar me rastin e 10-vjetorit të themelimit të Institucionit të Avokatit të Popullit dhe 62 vjetorit të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut.

Në vijim po e japim të plotë fjalën e z. Krasniqi: I nderuari, Avokat i Popullit, zotëri Sami KurteshiTë nderuar të pranishëm,Zonja dhe zotërinj Ndihem mirë, që sot jam këtu, në mesin e njerëzve që janë zëri i artikuluar i mbrojtjes së popullit, aq më tepër kur ky popull gjatë historisë ka provuar padrejtësi e mohime të së drejtës nga më të rëndat dhe nga më të ndryshmet; Ndihem krenar që sot, në Kosovën e lirë dhe sovrane, ju shënoni dhjetëvjetorin e formimit të institucionit të Avokatit të Popullit, një dekadë pune dhe veprimi që pa ngurrim mund të quhet jubile; E quaj jubile këtë përvjetor dhe e quaj jubilare këtë konferencë të karakterit ndërkombëtar, që zë fill pikërisht para 62 vjetëve, me Deklaratën universale të të Drejtave të Njeriut. Dhjetë vjet nuk janë pak në jetën e njeriut, po nuk janë pak as në zhvillimin e një shoqërie të re siç është kjo e jona. Institucioni juaj madje e ka fat që është bashkudhëtar i rritës me lirinë e Kosovës E quaj gjetje të mençur temën që do të trajtoni në këtë konferencë: Sovraniteti dhe të Drejtat e njeriut, një binom sa i pandashëm po aq edhe konstant për preokupimin e njeriut sot e në të ardhmen.  Sikundër që 62 vjet më parë kokat e mençura të njerëzimit e panë të nevojshme të bënin Deklaratën universale për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, më thotë mendja se edhe sot, një preokupim i tillë, jo vetëm që nuk duket i vjetruar, por fiton peshë dhe meriton vëmendje të shtuar të të gjithëve.  Të Drejtat dhe Liritë e Njeriut ose gëzohen, realizohen dhe përjetohen si të tilla, ose shkelen. Sipas logjikës normale nuk ka dhe nuk mund të ketë Të Drejta dhe Liri të tepërta. Në vitet e robërisë e të pushtimit ne dinim diçka, kishim dëgjuar për të drejtat e njeriut, po ishte një luks i paimagjinueshëm institucioni i këtillë për rrethanat në të cilat kalonte vendi. Në përfytyrimin tonë nocioni AVOKAT merrte epitete e kuptime figurative pothuajse gjithherë me konotacion negativ dhe pezhorativ, si Avokat i Djallit, Avokat i Parasë, Avokat i Shpifur bashkë me gjithë zhganin e makinës shtypëse: gjyqtarë, porotë e prokurorë që, si për ironi të fatit tonë të pafat, i jepnin zë me butafori parullës: “Në emër të popullit”.  Duke shfrytëzuar hapësirat e mundshme, me mund e sakrifica të mëdha, ngritëm Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut, një organizatë joqeveritare që, në mos tjetër, gjente dhe hapte shtigje komunikimi dhe informimi mu në qerthullin e një izolimi totalitar. E përmend këtë fakt që t’jua kujtoj me këtë rast se, pikërisht një kalvar të këtillë e ka përshkuar dhe provuar edhe vetë personi që sot përfaqëson avokatin e popullit. Zonja dhe zotërinj të nderuar, Sot, Ombudspersonin, Avokatin e Popullit, e bën institucion të pavarur e të garantuar Kushtetuta Republikës së Kosovës; e zgjedh organi më i lartë përfaqësimit të popullit, Kuvendi i Kosovës; Ai ka zyrë dhe buxhet të veçantë të cilin e propozon dhe e administron vetë në bazë të ligjit. Rrethanat e këtilla i mundësojnë atij të afirmojë dhe mbrojë të drejtat dhe liritë e ligjshme të individëve dhe të personave juridikë nga veprimet ose mosveprimet e paligjshme e të parregullta të organeve të administratës publike. E theksoj edhe një herë: Avokati i popullit nuk bën gjyqin. Ai Afirmon dhe Mbron të drejtat dhe liritë e ligjshme të individëve dhe të personave juridikë. Në këtë kuptim tani është krijuar kondita që askush të mos  ndihet i pambrojtur dhe i papërfillshëm. Pavarësisht se ç’pushtet ndërton një shoqëri, se çfarë struktura e administrojnë, është pothuajse e pamundur që në mënyrë absolute të çrrënjosen paligjshmëritë dhe parregullsitë. Aq më tepër në një shoqëri si kjo jona, e cila, sapo ka dalë nga procese tranzitore, e cila, sapo ka zënë të marrë këmbët pas djegieve e shkatërrimeve të luftës, e cila e ndien mungesën e përvojës e të traditës në shumë plane. Në këtë kuptim, Avokatit të Popullit, këtu, i shtohet edhe një detyrë jo më pak e rëndësishme se ajo që i përshkruhet rëndom: detyra e një edukimi të themeltë të qytetarëve për punën dhe veprimtarinë e vet.  Kësisoj, publikimet dhe informacionet për punën dhe rolin e Avokatit të popullit, publikimet dhe informacionet për liritë dhe të drejtat e njeriut, ku përfshihen edhe të drejtat e fëmijëve e të grave, pa dallim race e besimi, behën pjesë e patjetërsueshme e kulturës qytetare, bëhen vlera që hyjnë në fondin universal të njerëzimit.  Duke mos pasur asnjë dyshim në përkushtimin, detyrën dhe misionin tuaj, më lejoni t’ju uroj jubiletë dhe t’ju dëshiroj punë të mbarë!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.