Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi priti në takim gazetarin dhe shkrimtarin e mirënjohur Ramiz Kelmendi, për nder të tetëdhjetë vjetorit të lindjes së tij.
“Në bisedë e sipër me shkrimtarin tonë të madh të letrave shqipe, unë thash që në këto vitet e pasluftës të përqendruar dhe të angazhuar shumë me hallet dhe me problemet e jetës, kemi harruar që së paku me fjalë të mira t’i falënderojmë shumë artistë, shkrimtarë, mësues por edhe këngëtarë dhe njerëz të fushave të ndryshme. Që shpeshherë na e kanë bërë më të lehtë jetën, që na kanë bërë të ndihemi krenarë, por sigurisht ata të cilët kanë krijuar prapa lënë veprën dhe vepra do të jetë ajo që do të jetojë shumë dhe breza të tërë do të nxjerrin mësime dhe do të mësojnë nga ajo që është krijuar gjatë viteve ose edhe gjatë shekujve”, tha me këtë rast U.D. i Presidentit, dr. Jakup Krasniqi.Ndërsa, shkrimtari Ramiz Kelmendi falënderoi presidentin në detyrë duke thënë se ky takim është kulmi i kënaqësive të tij. “Është kulmi i kënaqësive të mia, këto minuta që i kaluam bashkë. Me vetë faktin që Presidenti u kujtua për një krijues modest, që ta presë, ta ftojë, bile pata edhe një kënaqësi më të madhe se kjo është protokollare siç i thash Presidentit, por unë pata kënaqësinë private se Presidenti ma uroi tetëdhjetëvjetorin edhe me telefonatë. Kështu që s’kam çfarë të them tjetër, është maja e kënaqësive në jetën time tetëdhjetë vjeçare, këto çaste që sot i kalova këtu. Jam shumë i lumtur që e prita këtë çast e këtë ditë”, tha Ramiz Kelmendi.
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR