Ushtruesi i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi ngushëlloi sot Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, me rastin e ndarjes nga jeta të diplomatit të shquar të SHBA-së, Richard Holbrooke.
“Richard Holbrooke ishte diplomati dhe njeriu që shërbeu për arritjen e paqes në shumë konflikte dhe luftëra në tërë globin, duke filluar nga Azia Juglindore e deri te luftërat e ftohta në Evropë; ishte diplomati i cili kurrë nuk ka ditur të ndalet dhe njeriu që u përball me diktatorët më të vështirë në botë. Shumë popujve, në shumë vende të botës, u është mundësuar të jetojnë në paqe në sajë të angazhimeve të Tij. Roli i Richard Holbrooke, si i dërguar i Presidentit Clinton për Ballkanin, ishte vendimtar edhe për Kosovën dhe për qytetarët e saj”, shkruan z.Krasniqi.
Ndarja nga Richard Holbrooke është një lajm i hidhur jo vetëm për popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe për të gjithë miqtë e Tij, të cilët i ndiqnin me vëmendje angazhimet e këtij diplomati dhe luftëtari të madh të paqes.
Me këtë mesazh, në emër të institucioneve dhe të popullit të Republikës së Kosovës, Ju shpreh Juve dhe nëpërmjet Jush, familjes së Tij dhe mbarë popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës solidaritetin dhe ngushëllimet e mia më të thella, shkruan, ndër të tjera, në telegramin e ngushëllimit Ushtruesi i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi.
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR