Me rastin e Ditës Kombëtare te Republikës së Turqisë, Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Kosovës së Republikës, dr. Jakup Krasniqi uroi sot Presidentin e Republikës së Turqisë Shkëlqesinë e tij, Abdullah Gül
Duke përkujtuar se Turqia është një nga shtetet e para që ka pranuar ta njohë Kosovën si shtet dhe që i ka ndihmuar asaj të formësohet dhe njihet si shtet sovran dhe i pavarur, z.Krasniqi thekson në urim se Kosova çmon mbështetjen që Turqia e ka ofruar në të gjitha sferat dhe ndihmën e saj në ndërtimin e të gjitha institucioneve dhe në kuadër të KFOR-it, mes kontributeve të tjera që i ka ofruar.
“Dita Kombëtare e Turqisë na e ofron mua dhe popullit të Kosovës kënaqësinë e veçantë që t’jua përcjellim Juve dhe, përmes Jush, popullit mik të Turqisë, urimet tona më të ngrohta. Me këtë rast, z. President, dua ta shpreh bindjen time se marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale dhe multilaterale midis Kosovës dhe Turqisë do të pasurohen dhe forcohen më tej në të ardhmen, në të mirë të vendeve dhe popujve tanë miq”, shkruan Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, në urimin drejtuar Presidentit të Republikës së Turqisë, Shkëlqesisë së tij, Abdullah Gül, me rastin e Ditës Kombëtare të Turqisë.
Në fund të urimit, U.D. i Presidentit të Kosovës, dr. Jakup Krasniqi e siguron Presidentin Gül për përkushtimin e tij personal dhe të popullit të Kosovës ndaj miqësisë tradicionale dhe partneritetit të ri me popullin mik turk.
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR