Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, për nder të 28 nëntorit, datë kjo e cila ngërthen në vete katër festa të mëdha si Festën e Flamurit, Festën e Pavarësisë, Festën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari, fillimisht vendosi kurora lulesh pranë Monumentit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, në Prishtinë.
“Ne e filluam këtë ditë të sotme për të vendosur kurora te Monumenti i Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Pasi që edhe flamuri, edhe historia më e lavdishme e popullit tonë ka filluar me heroin kombëtar Gjergj Kastriotin Skënderbeun. Dhe kjo festë pastaj është lidhur shumë herë në histori dhe shumë herë nëntorët popullit shqiptarë i kanë dhuruar lirinë, i kanë dhuruar pavarësinë, i kanë dhuruar dinjitetin. Sot jemi ne këtu ku jemi, falë këtyre heronjve që kanë qenë për breza të tërë nëpër shekuj, burim frymëzimi për t’u formuar kombi dhe për t’u jetësuar lavdia dhe historia e heronjve dhe dëshmorëve të kombit”, tha U.D. i Presidentit, dr. Jakup Krasniqi .
Ndërsa më pas, Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, bëri homazhe në kompleksin memorial në Prekaz.
“Sot, jemi në festën e shumëfishtë të kombit shqiptar, Festën e Flamurit, Festën e Pavarësisë, Festën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ditëlindjen e komandantit legjendar, jemi këtu për të nderuar komandantin legjendar Adem Jashari, Jasharët legjendarë. Jemi këtu në mënyrë simbolike për t’i nderuar gjithë flijimet që janë bërë gjatë historisë për lirinë dhe pavarësinë që e kemi sot. Sot, në këto ditë pothuajse në çdo fshat mund të nderohen dëshmorët dhe të rënët për liri, por si këtu askund nuk është simbolika dhe nga këtu në nderojmë gjithë të rënët e të gjithë brezave për lirinë dhe perspektivën që ka Kosova dhe qytetarët e saj”, tha U .D. i Presidentit, dr. Jakup Krasniqi .
I pyetur nga gazetarët se a ka arritur klasa politike gjatë këtyre viteve me e dërguar deri në fund amanetin e familjes Jashari, Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi tha: “Idetë dhe amanetet e mëdha të njerëzve që kanë bërë historinë nuk mund të realizohen as për një vit, as për dhjetë. Janë brezat që do të punojnë për t’i realizuar idetë e mëdha.
Natyrisht duhen vite për t’i realizuar idetë e komandantit legjendar dhe idetë e gjithë atyre që flijuan jetën për të mirën e vendit, për perspektivën e qytetarëve, për demokracinë, për institucionet demokratike. Duhet kohë vërtetë për t’i realizuar idealet e mëdha të çdo kombi, edhe të kombit tonë”.
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN