Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu priti sot ambasadoren e Finlandës në vendin tonë znj. Tarja Laitiainen, e cila i solli letrat kredenciale.
“Finlanda është nga vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, është nga vendet që e mbështet fuqishëm Republikën e Kosovës në kuadër të proceseve për mbështetjen e përbashkët në kuadër të Bashkimit Evropian, pastaj me prezencën në kuadër të KFOR-it dhe natyrisht është e interesuar të na ndihmojë në procese zhvillimore”, theksoi Presidenti Sejdiu pas takimit me ambasadoren e Finlandës në Kosovë, znj. Tarja Laitiainen.Presidenti Sejdiu, përfaqësimin e Finlandës në Republikën e Kosovës, në cilësinë e plotë të ambasadorit dhe të ambasadës, e ka vlerësuar si shenjë e zhvillimit të marrëdhënieve bilaterale në mënyrën më të mirë. Ndërkaq, ambasadorja Laitiainen, pasi shprehu kënaqësinë e saj për takimin me Presidentin Sejdiu, tha se Finlanda ka qenë mbështetëse e Kosovës, është edhe tash dhe do të jetë edhe në të ardhmen.Ambasadorja Laitiainen foli edhe për prezencën e Finlandës në vendin tonë, me ushtarët në kuadër të KFOR, prezencën e fuqishme në EULEX dhe gjithashtu me prezencën bilaterale me hapjen e ambasadës në Prishtinë.”Ne jemi pjesë e EULEX-it, ne natyrisht jemi edhe politikisht të përfshirë në këtë proces. Ne jemi këtu për ta mbështetur perspektivën evropiane për Kosovën edhe në të ardhmen. Dhe është e qartë që Kosova ka të ardhme evropiane dhe kjo është parë edhe në raportin e fundit të Komisionit Evropian, i cili shpreh qartë perspektivën edhe pse janë edhe shumë gjëra që duhen bërë”, theksoi ambasadorja Tarja Laitiainen.