presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

FJALA E PRESIDENTIT SEJDIU NË CEREMONINË E PËRURIMIT TË KATEDRALES “NËNA TEREZË”

Ndihem tepër i privilegjuar që ndodhem sot, këtu mes jush, në këtë ngjarje madhështore të përurimit të Katedrales “Nëna Terezë”. Dhe, derisa shoh këtë objekt kaq impozant, besoj ashtu si edhe të gjithë juve, në mendje më vijnë dy personalitete të mëdha të historisë sonë më të re, Presidenti Ibrahim Rugova dhe Ipeshkvi Mark Sopi, të cilët, më 26 gusht 2005, udhëhoqën ceremoninë solemne të vënies së gurthemelit të këtij tempulli nacional, fetar, shpirtëror e kulturor.

I nderuar Ipeshkëv i Ipeshkvisë së Kosovës, z. Dodë Gjergji,

I nderuar Monsinjor Zef Gashi, Arqipeshkëv i Tivarit,

I nderuari zëvendëskryeministër Kuqi,

I nderuar ministër Haziri,

Të nderuar deputetë dhe ministra,

I nderuar z. Iv de Kermabon, shef i EULEX-it

Të nderuar ambasadorë të akredituar në Prishtinë dhe mysafirë të tjerë nga vendet mike,

I nderuar kryetar i Komunës së Prishtinës, z. Isa Mustafa

Të nderuar përfaqësues të institucioneve arsimore, shkencore e kulturore,

Zonja dhe zotërinj,

Ndihem tepër i privilegjuar që ndodhem sot, këtu mes jush, në këtë ngjarje madhështore të përurimit të Katedrales “Nëna Terezë”. Dhe, derisa shoh këtë objekt kaq impozant, besoj ashtu si edhe të gjithë juve, në mendje më vijnë dy personalitete të mëdha të historisë sonë më të re, Presidenti Ibrahim Rugova dhe Ipeshkvi Mark Sopi, të cilët, më 26 gusht 2005, udhëhoqën ceremoninë solemne të vënies së gurthemelit të këtij tempulli nacional, fetar, shpirtëror e kulturor.

I pari, dr. Ibrahim Rugova u quajt me të drejtë burrështetasi i parë i Kosovës, presidenti ynë historik. Ndërsa i dyti, imzot Mark Sopi, njeri i fjalës dhe i predikimit të urtë, u bë i dashur për të gjithë dhe gëzoi nderimin e madh të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim besimi.

Këta dy kolosë të Kosovës e bekuan gurthemelin katedrales “Nëna Terezë”, e cila mban e bijës sonë shqiptare Gonxhe Bojaxhiu, e cila botërisht u shpall “Personalitet i Shekullit XX”, duke e lartësuar emrin e Kosovës dhe të shqiptarëve kudo në botë.

Pesë vjet pas asaj dite të gushtit 2005, ne po e përurojmë katedralen e Nënës Terezë, këtu në Prishtinën e Florit e të Laurit, dy martirëve të parë të krishterimit, të cilët u flijuan më 117 – 135 pas Krishtit.

Kështu, ne po e përmbushim një amanet të madh, të cilin na e lanë borxh këta burra të urtë të Kosovës, të cilët me largpamësinë e tyre ndihmuan që vendi ynë i dashur, Republika e Kosovës, të ketë miq të shumtë anekënd globit.

Ndërtimi i Katedrales “Nëna Terezë”, thoshte Presidenti Rugova, do të jetë simbol i bashkimit, i tolerancës dhe i mirëkuptimit, siç ishte vepra dhe filozofia e Nënë Terezës dhe e popullit tonë.

“Pra, do të jetë qendër e rëndësishme fetare, kulturore e kombëtare për të gjithë. Gjithsesi do të jetë simbol i dritës më të madhe, simbol i forcimit të besimit në Zotin, në të mirën.” (Presidenti Rugova, 26 gusht 2005).

Fort të nderuar mysafirë,

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Vendi ynë, Kosova jonë e shtrenjtë, dje iu gëzua njohjes së shtatëdhjetë. Republika e Hondurasit u bashkua me vendet e tjera demokratike anekënd botës, të cilat e kanë njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës. Ky lajm ishte ogur i mirë përpara kësaj ngjarjeje të madhe që ne po përjetojmë sot, këtu në Prishtinë.

Jemi të bindur se tashmë ka ardhur çasti duhur që edhe vendet e tjera, që ende nuk e kanë njohur shtetin tonë, ta bëjnë këtë sa më parë, sepse kështu ato do ta ndihmonin jo vetëm Kosovën, por të ardhmen e të gjithë rajonit.

Kosova është shtet i pavarur, me vullnetin e qytetarëve të saj. Në korrik, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i dha vulë të fuqishme legjitimitetit të shtetësisë sonë, ndaj, edhe nga këtu, ftojmë vendet nga të katër anët e botës që ta shpallin pranimin e shtetit tonë dhe t’ia hapin kësaj pjese të Evropës Juglindore udhën e integrimeve të pakthyeshme euroatlantike.

Kosova është një shtet sovran dhe demokratik i të gjithë qytetarëve të saj të barabartë, pa dallim kombi e besimi.

Kosova përbën një mozaik të jashtëzakonshëm diversitetesh etnike, kulturore e shpirtërore, të cilat kanë jetuar gjatë shekujve së bashku dhe në harmoni të rrallë.

Vetë shqiptarët e Kosovës, të cilët u përkasin besimeve të ndryshme, janë shembull i mrekullueshëm i harmonisë dhe i dashurisë me njëri-tjetrin dhe me të tjerët, pavarësisht se gjatë historisë morën përkatësi të ndryshme fetare.

Ky argument dëshmon madhështinë e këtij populli, i cili, ndonëse kaloi shumë kalvare vuajtjesh apokaliptike, asnjëherë nuk pati ndjenjë mosdurimi ndaj të tjerëve. Duke e theksuar këtë virtyt të jashtëzakonshëm, që e shpalos më së miri shpirtin paqësor e të fisëm të popullit të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi, paralelisht themi se Nëna Terezë është shenja më emblematike e këtij shpirti, e kësaj fryme të shenjtë shqiptare e gjithënjerëzore.

Pjesëmarrës të nderuar të këtij manifestimi të shënuar,

Qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës kanë dëshmuar kulturë të lartë kombëtare e shtetërore edhe duke i nderuar e duke mos i harruar të gjithë ata që na kanë ndihmuar në përpjekjet tona të mëdha për liri, pavarësi e demokraci.

Presidenti Rugova pati krijuar traditën e mirë të nderimit e të dekorimit të personaliteteve dhe të institucioneve, që, në ditët më të vështira nëpër të cilat kaloi populli i Kosovës, dhanë ndihmë të jashtëzakonshme për tejkalimin e situatave tepër të rënda, sidomos në dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit XX. Në vazhdën e kësaj tradite të nisur nga dr. Rugova, duke u mbështetur në përgjegjësitë dhe kompetencat që kam si President i vendit, në këtë ditë të madhe për Kosovën, kam vendosur t’i dekoroj me Medaljen Humanitare “Nëna Terezë” këto institucione dhe këto figura të ndritura:

   1. Imzot Nikë Prela, Ipeshkëv i Ipeshkvisë së Kosovës (post mortem);
   2. Terry Heselius (post mortem); drejtor i organizatës humanitare ndërkombëtare “Mercy Coorps International”, e cila ndihmoi Kosovën gjatë viteve më të rënda 1998-’99;
   3. Rupert Neudeck (Robert Nojdek), kryetar i shoqatës humanitare “Grune Helme” dhe ish-udhëheqës i organizatës së njohur humanitare gjermane “Cap Anamur”, e cila, vite të tëra, ka ndihmuar Kosovën, sidomos në fazën emergjente të rindërtimit të shtëpive, shkollave dhe objekteve të tjera të djegura dhe të rrënuara gjatë luftës në Kosovë;
   4. INTERNATIONAL COMMITTEE OF THE RED CROSS (ICRC) – Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq (KNKK);
   5. Humanistja e shquar Annalies Scheneller;
   6. International Federation of Red Cross and Red Crescent Sosioties (IFRC)
   7. Shoqata Humanitare “Nëna Terezë”;
   8. Kryqi i Kuq i Kosovës;
   9. Halit Ferizi (HANDIKOS), veprimtar e bamirës i shquar i Kosovës.

Ndërsa me Çmimin Presidencial për Studiues e kam dekoruar Dom Lush Gjergjin, biografi më i madh i jetës dhe veprës së Nënës Terezë, meshtari i urtë dhe veprimtari i palodhshëm për të drejtat dhe liritë e të gjithë njerëzve pa dallim.

Medaljet dhe mirënjohjet do të dorëzohen në një ceremoni të veçantë, e cila do të organizohet nga Zyra e Presidentit të Republikës.

Sigurisht, institucionet e vendit nuk do t’i harrojnë edhe shumë institucione e individë të tjerë, të cilët, në kohë të vështira, kanë ndihmuar në forma të ndryshme vendin tonë. Vërtet janë të shumtë dhe që të gjithë kanë bërë punë të mrekullueshme.   

Zoti e bekoftë Katedralen “Nëna Terezë”!

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj!

Zoti i bekoftë miqtë tanë ngado që janë!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.