presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

FJALA E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS, DR. FATMIR SEJDIU NË CEREMONINË E NDËRRIMIT TË KOMANDËS SË KFOR-it

Njëmbëdhjetë vjet pas hyrjes së NATO-s në Kosovë, vendi ynë është transformuar rrënjësisht. Sot Kosova është faktor i rëndësishëm i paqes dhe i stabilitetit në rajon, me vizion të qartë për të qenë sa më parë anëtare e Bashkimit Evropian, e NATO-s dhe e institucioneve të tjera ndërkombëtare, duke përfshirë edhe OKB-në.

Në pranverën e vitit 1999, NATO-ja ndërhyri për ta shpëtuar popullin e Kosovës nga zhbërja fizike. E ritheksojmë se kjo ishte një ndërhyrje e pashembullt humanitare, e papërsëritshme në madhështinë e saj. NATO-ja nuk ndërhyri në Kosovë për qëllime thjesht ushtarake, ajo ndërhyri për shpëtimin e një populli, për mbrojtjen e një qytetërimi, i cili rrezikohej të zhbëhej. 
Ky dimension i jashtëzakonshëm human bën që pjesëtarët e KFOR-it, sot e kësaj dite, të gëzojnë simpatinë dhe nderimin e veçantë të të gjithë qytetarëve të Kosovës. Dhe, ky nderim është thelluar vit pas viti, sepse KFOR-i nuk qëndroi vetëm në misionin e tij themelor, ruajtjen dhe krijimin e sigurisë në Kosovë, por dha kontribut të drejtpërdrejtë në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve të Kosovës.
Shumë shkolla, ura, rrugë dhe objekte të tjera vitale që janë ndërtuar në Kosovën e pasluftës mbajnë vulën e KFOR-it. Prijësit dhe ushtarët e këtij misioni ndihmuan rilindjen e jetës në Kosovë, duke qenë përherë faktorë të miqësisë, të afrimit dhe të pajtimit në mes qytetarëve me etni të ndryshme të mozaikut të Kosovës.
Gjatë gjithë këtyre viteve pjesëtarët e KFOR-it kanë qenë shembull i shërbimit profesional dhe të disiplinuar. Kjo i bën ata më të dashur për të gjithë në Kosovë. Unë shpreh bindjen time të plotë se kështu do të jetë përderisa ky mision të qëndrojë në Kosovë.
 
 
Të dashur ushtarë,
Zonja dhe zotërinj
Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë e saj, në bashkërendim të plotë me vendet nga vini ju. Vendi ynë deri më sot është njohur nga 69 shtete të pavarura anekënd botës dhe ne besojmë fuqishëm se shpejt do të kemi njohje të tjera.
Legjitimiteti i pakontestueshëm i pavarësisë dhe i sovranitetit të Republikës së Kosovës u konfirmua plotësisht edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e cila dha mendimin e saj këshillëdhënës me kërkesë të Republikës së Serbisë. Siç e dini, mendimi i GJND-së ishte shumë i qartë, por Serbia refuzon ta pranojë atë, pavarësisht që vetë e kërkoi një mendim të tillë. Tani ajo po përpiqet ta pengojë njohjen ndërkombëtare të Republikës së Kosovës me një projektrezolutë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, mirëpo ne jemi të bindur se kjo përpjekje destruktive e Serbisë, si të gjitha të tjerat deri më sot, do të marrë përgjigjen e duhur.
Pavarësia e Kosovës është realitet i pranuar botërisht, prandaj përpjekjet për ta penguar prosperitetin e vendit tonë janë të dëmshme jo vetëm për ne, por për të gjithë rajonin. Madje, ato janë të dëmshme edhe për vetë Serbinë dhe popullin serb, sepse e pengojnë integrimin e përbashkët të rajonit në strukturat euroatlantike.
Kosova është e përkushtuar për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve shumë të mira me shtetet fqinje, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Shqipërinë. Ne dëshirojmë që marrëdhënie të tilla të kemi edhe me Republikën e Serbisë, gjithnjë si dy shtete sovrane, në të mirë të mirëqenies së qytetarëve të të dyja vendeve.

Të nderuar pjesëmarrës të këtij manifestimi,
Edhe gjatë periudhës së udhëheqjes nga Komandanti Bentler, ekspertët e NATO/KFOR-it kanë dhënë ndihmë të pakursyer për rritjen dhe profesionalizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndaj ne i shprehim atij mirënjohjen tonë të plotë.
FSK-ja po ngrihet sipas standardeve të NATO-s dhe ne jemi të bindur se ajo është njëra ndër pjesët më të shndritshme të rrëfimit për suksesin e përgjithshëm në Kosovë.
Me këtë rast, më lejoni të ripërsërisë vullnetin tonë të mirë që pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës të marrin pjesë, qoftë edhe në mënyrë simbolike, në misionet paqësore të NATO-s kudo në botë.
Kosova dëshiron të japë kontributin e saj për paqen, stabilitetin dhe të ardhmen më të mirë për të gjithë popujt pa dallim; Kosova është e gatshme të marrë përgjegjësitë e veta si çdo shtet tjetër sovran.
Duke e përmbyllur fjalimin tim, dua t’i shpreh urimet më të sinqerta, si dhe dëshirën tonë për shëndet, pat fat dhe suksese në angazhimet e reja gjeneralit Bentler, të cilin e kam dekoruar me Medaljen Ushtarake për Shërbim në Kosovë.
Po kështu, më lejoni që t’i shpreh mirëseardhjen dhe dëshirën për sukses të plotë në detyrën e re gjeneralit Erhard Byhler, të cilit i garantojmë vazhdimin e bashkëpunimit të shkëlqyeshëm që kanë pasur gjithnjë institucionet e Kosovës me komandantët e KFOR-it dhe me të gjithë pjesëtarët e këtij misioni fisnik.
Ju faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.