presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Sqarim i Zyrës së Presidentit të Republikës

Presidenti Sejdiu ka kërkuar sqarime nga z. Pacolli për adresimin që ai i ka bërë Presidentit iranian Mahmoud Ahmadinejad

Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës jep këtë sqarim sa i përket arikullit me titull “Presidenti fyen Pacollin”, të botuar më 16 maj 2010, në gazetën “Express”.

Para disa ditësh, Presidenti Sejdiu ka marrë informacione zyrtare nga Ministria e Punëve të Jashme e Republikës së Kosovës dhe rrjeti diplomatik i saj, se një Ambasadë e Iranit ka kërkuar sqarime lidhur me “letrën e z. Pacolli për Presidentin e Iranit, z. Ahmadinejad”.

Sipas këtyre informacioneve zyrtare që i janë përcjellë Presidentit Sejdiu, Ambasada e Iranit ka insistuar të dijë se a paraqet kjo letër qëndrim zyrtar të Presidentit Sejdiu dhe a është kjo Ambasadë në dijeni për këtë adresim.

Presidenti Sejdiu, duke mos pasur asnjë informacion të mëhershëm për këtë adresim të z. Pacolli dhe për përmbajtjen e tij, e ka kontaktuar z. Behgjet Pacollin për të kërkuar sqarime prej tij lidhur me këtë çështje. Prandaj, janë tërësisht të pavërteta pohimet se kinse Presidenti Sejdiu e paska fyer z. Pacollin.

Presidenti Sejdiu rithekson qëndrimin e tij të ditur botërisht se asnjë politikani, deputeti apo zyrtari tjetër të Kosovës nuk i mohohet e drejta për të lobuar për njohje të reja të Republikës së Kosovës, mirëpo askush nuk mund të thirret në emrin e Presidentit pa u konsultuar fare me të.
 

This site is registered on wpml.org as a development site.