Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës dëshiron të japë këtë sqarim lidhur me disa “të dhëna” që ka publikuar sot, datë 3 qershor 2010, gazeta e përditshme “Koha ditore” për pasurinë e deklaruar nga Presidenti Fatmir Sejdiu.
Në fakt, në faqen e saj të pestë dhe me paralajmërim edhe në ballinë, kjo gazetë ka botuar tekstin me titull Sejdiu “varfërohet.”, Thaçi pasurohet brenda 3 vjetësh, i cili, ndër të tjera, “gjen” se në procesin e deklarimit të pasurisë të organizuar nga OSBE-ja para tre vjetësh, Presidenti Sejdiu paskësh deklaruar se ka një shtëpi personale me 250 metra katrorë, si dhe një shtëpi “tjetër” të përbashkët me familjen me 500 metra katrorë.Ripërsërisim se Presidenti, vërtet, ka një shtëpi të përbashkët me familjarët/vëllezërit e tij dhe në kuadër të saj, afërisht 250 metra katrorë janë të tijat. Por, po ashtu, ripërsërisim se Presidenti nuk ka shtëpi tjetër, personale siç e ka cilësuar gazeta.Të dhënat që ka publikuar këto ditë Agjencioni i Kosovës kundër Korrupsionit sa i përket pronës së paluajtshme të familjes së Presidentit janë të sakta. Lëshimi mund të jetë bërë në të dhënat e OSBE-së, të cilat, nëse janë ashtu si i citon “Koha ditore”, janë të pasakta.Po kështu, një informacion të tillë e ka dhënë edhe KTV-ja në emisionin e sotëm qendror informativ të orës 19:00.Zyra e Presidentit mbetet e gatshme si gjithmonë që t’u japë informacionet e nevojshme gazetarëve që duan të shkruajnë dhe të raportojnë për veprimtarinë e Presidentit. Në këtë frymë, ne presim nga redaksitë e gazetës “Koha ditore” dhe KTV që ta publikojnë këtë sqarim, për hir të së vërtetës dhe të informimit të drejtë të lexuesve, përkatësisht teleshikuesve.