DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Princi Michael: Ne në Britani ruajmë një ndjenjë të veçantë për Kosovën

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, priti në një takim të përzemërt Lartmadhërinë e Tij, Princin Michael të Kentit.

“Vizita jonë në Kosovë është moment i një krenarie të madhe. Ajo na mundëson të shohim çfarë mund të sjellim ne nga Britania në lëmin e investimeve në këtë vend”, tha Lartmadhëria e Tij, Princi Michael pas takimit me Presidentin e Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu.

Pa dyshim, vijoi Princi, ne në Britani ruajmë një ndjenjë të veçantë për Kosovën, siç e kemi dëshmuar me përfshirjen tonë direkte në vendin tuaj gjatë viteve të fundit.

Ai e falënderoi Presidentit Sejdiu për mundësinë e ofruar për të hyrë në fillet e asaj që Princit Michael tha se do të jetë një kombinim interesant i të menduarit dhe të planifikuarit si për Kosovën, ashtu edhe për Britaninë.  

Ndërsa, Presidenti Sejdiu, duke u shprehur i kënaqur për mundësinë që kishte për të pritur dhe për të biseduar me Princin Michael nga Mbretëria e Bashkuar, tha të kenë ndarë mendime të përbashkëta për ecjen e mëtejshëm dhe për mbështetjen që do t’i jepet Kosovës.

“Me Princin Michael u dakorduam për ecjen e mëtejshme dhe për mbështetjen që do t’i jepet Kosovës. E falënderoj Princin për mbështetjen e fuqishme që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Kosovës, si dhe për përkushtimin e saj që Kosova të jetë një vend me zhvillim të shpejtë ekonomik dhe vend i perspektivës së të gjithë qytetarëve”, theksoi Presidenti Sejdiu.

Duke theksuar se Kosova është një vend i shanseve të mëdha, pavarësisht kohëve të vështira që ka kapërcyer, me pasuritë e shumta që i ka falur Zoti, Presidenti Sejdiu e falënderoi Princin për iniciativën që së bashku me një ekip shumë të madh të njerëzve të dijes, të eksperiencës, të ekonomisë e të biznesit t’i gjendet Kosovës afër.

Gjithashtu, Presidenti Sejdiu tha se e vlerësonte qëndrimin e lartmadhërisë së Tij,Princit Michael për angazhimin dhe ndikimin e tij te vendet mike dhe njerëzit që njeh për shtimin e njohjeve të reja për Kosovën.
 
Edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, z. Andy Sparks, pasi që shprehu kënaqësinë për vizitën e këtij delegacioni të lartë, në këtë kohë shumë të rëndësishme dhe në këtë vit shumë të rëndësishëm për Kosovën, tha se kjo vizitë dëshmon edhe një herë se sa kujdeset Britania e Madhe për Kosovën dhe çfarë mundësish shohim ne kur vështrojmë para në drejtim të partneritetit midis dy vendeve tona.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.