Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, për hir të sqarimit të drejtë të opinionit publik, në mënyrë të hapur dhe transparente thekson se lajmi i botuar në disa nga mediat për tenderin për blerjen e luleve është i pasaktë dhe i shtrembëruar.
Zyra e Presidentes sqaron se nuk bëhet fjalë për blerje të luleve në shumën e cekur nga mediat për nevojat, siç thonë, ditore të zyrës, por për një kontratë vjetore, të lidhur më 10 nëntor 2014, për rastet e caktuara: për homazhe, ceremoni zyrtare si dhe ceremoni të tjera shtetërore. Kjo shumë vjetore shfrytëzohet vetëm për nevoja të caktuara dhe nuk do të thotë se shfrytëzohet e plotë.Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës thekson se Presidentja dhe kabineti i saj, që prej ditës së parë të mandatit në prill të vitit 2011, ka treguar kujdesin më të madh në shpenzimin e parasë publike, dhe për çdo vit brenda këtyre katër vjetëve ka bërë kursimin e buxhetit vjetor të saj deri në 20%.