Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me kryeministrin, Albin Kurti, sot kanë bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Gllobar, në Verboc në Shtuticë si dhe në Kompleksin Memorial në Marinë.
Me këtë rast, U.D. Presidentja Haxhiu tha se 27 vite më parë, Gllobari, Vërboci, Shtutica, Tresteniku, Baksi, Polluzha dhe fshatrat e tjera të Drenicës u përballën me sulmin e forcave okupatore serbe.
“276 civilë të paarmatosur e të pafajshëm u masakruan. Disa prej trupave u dogjën, ndërsa të tjerë u dërguan në Rashkë të Serbisë, me qëllim që të fshihen gjurmët e krimit. Vrasjet e foshnjave, fëmijëve, vajzave, grave, pleqve janë dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Më 30 prill 1999, pra në po atë ditë, në mbrojtje të civilëve të paarmatosur e të pafajshëm, ranë 42 ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tash dëshmorë të kombit. Në mesin e tyre, edhe heroi Ilaz Kodra, i cili e udhëhoqi brigadën 114”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo, më tej tha se sot ne e nderojmë veprën e tyre sublime, nderojmë jetën e martirëve dhe veprën e dëshmorëve të kombit.
“Falë tyre ne e kemi shtetin e Kosovës, lirinë e pavarësinë, të cilën duhet ta nderojmë me punë të vazhdueshme.”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.
Gjatë ditës, Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu dhe kryeministri, Albin Kurti, kanë bërë homazhe edhe në Kompleksin Memorial në Marinë.
Me këtë rast, U.D. Presidentja Haxhiu, ka thënë se jemi këtu në Kompleksin Memorial në Marinë të Skënderajt, për të nderuar luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Sapo vendosëm lule të freskëta në nderim të jetës dhe veprës së 42 dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ranë heroikisht duke mbrojtur civilët e pafajshëm të fshatrave të Drenicës, të cilët përballeshin me sulme të egra nga forcat okupatore serbe. Në mesin e tyre ishte edhe komandanti Ilaz Kodra, i cili u rrit në Prekaz, në Prekazin e atdhedashurisë. Ai që në rini u frymëzua nga luftëtarë të guximshëm dhe nga idealistë që e dinin që liria nuk fitohet pa luftë”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo më tej tha se Ilaz Kodra ishte ndër pjesëtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas saj, ai shërbeu edhe si frymëzim, edhe në stërvitje, edhe në mobilizim për shtimin e radhëve në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
“Pas rënies heroike të komandantit Fehmi Lladrovci, ai mori në udhëheqje Brigadën 114 dhe deri në fund të jetës së tij bëri gjithçka për liri dhe për vendin tonë”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR




