Gjatë vizitës zyrtare në Washington, D.C., Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi takime të nivelit të lartë me përfaqësues të institucioneve kyçe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me fokus forcimin e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve, si dhe avancimin e prioriteteve të përbashkëta në fushën e sigurisë, mbrojtjes dhe zhvillimit ekonomik.
Presidentja Osmani takoi Zyrtarin e Lartë të Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Brendan Hanrahan. Në takim morën pjesë gjithashtu Drejtori i Lartë për Evropë dhe Rusi në Këshillin Kombëtar të Sigurisë të SHBA-ve dhe Këshilltari Special i Presidentit Donald Trump, Charles McLaughlin, si dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit, Daniel J. Lawton.
Gjatë takimit u diskutuan zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në Kosovë dhe rajon, si dhe rëndësia e koordinimit të vazhdueshëm me partnerët amerikanë për ruajtjen e stabilitetit dhe forcimin e arkitekturës së sigurisë euro-atlantike.
Në këtë kontekst, u trajtua edhe rikthimi i Dialogut Strategjik Kosovë–SHBA, me fokus të veçantë në thellimin e bashkëpunimit në mbrojtje, siguri dhe zhvillim ekonomik.
Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e avancimit të njohjeve ndërkombëtare të Kosovës, duke nënvizuar se zgjerimi i subjektivitetit ndërkombëtar mbetet prioritet strategjik, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët amerikanë.
Integrimi i Kosovës në NATO u riafirmua si objektiv strategjik dhe garanci për stabilitet afatgjatë dhe siguri rajonale. Në këtë frymë, u vlerësua lart prezenca e trupave ushtarake amerikane në Kosovë, e cila mbetet element kyç për sigurinë dhe stabilitetin në vend, si dhe dëshmi e partneritetit të palëkundur ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve.
Pjesëmarrja e Kosovës në Bordin e Paqes u vlerësua si historike, duke reflektuar rolin gjithnjë e më aktiv të Kosovës si kontribuuese në paqen dhe sigurinë ndërkombëtare, si dhe gatishmërinë për të marrë përgjegjësi më të mëdha në iniciativat globale të sigurisë.



