presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Osmani në diplomimin e gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës

I nderuar Kryeministër Kurti,

Zëvendëskryeministre Gërvalla e Rexhepi,

I nderuar ministër Sveçla,

Drejtor Hoxha,

I nderuar staf drejtues i Policisë së Kosovës dhe staf akademik i Akademisë së Sigurisë Publike,

Të dashur zyrtarë e zyrtare të Policisë së Kosovës,

Të dashur kadetë të Gjeneratës së 59-të,

Të nderuar familjarë krenarë me kadetët tanë,

Shumë të nderuar të pranishëm,

 

Jam e lumtur që sot ndodhem në këtë ceremoni diplomimi të gjeneratës së 59-të të policëve të rinj, e cila është tejet e rëndësishme jo vetëm për ta, por për të gjithë ne, dhe në të njëjtën kohë shënon kurorëzimin e një pune të jashtëzakonshme dhe një mundi të madh për t`u bërë gardianë të Republikës sonë.

Teksa ju kadetë të nderuar, sot bëni betimin solemn për të mbrojtur dhe për të shërbyer, ne kemi një ndjenjë të jashtëzakonshme krenarie dhe admirimi për secilin prej jush.

Qindra kadetë, në mesin e të cilëve edhe shumë vajza e gra dhe shumë pjesëtarë të komuniteteve pakicë, prej sot veshin uniformën e Policisë së Republikës sonë.

Ky diversitet që përfshin të gjitha komunitetet në Republikën tonë, është vlerë e Policisë së Kosovës,  e cila është e të gjithëve dhe për të gjithë, dhe këtë e ka dëshmuar vazhdimisht.

Nga sot, të gjithë ju jeni policë të Republikës së Kosovës. Ju deri tani keni demonstruar përkushtimin e palëkundur, disiplinën dhe punën e madhe për të mbështetur sigurinë, drejtësinë dhe integritetin.

Tani e tutje, jeni në mbrojtje të secilit qytetarë të Republikës sonë, pa dallim. Prandaj, në këtë punë e në këtë mision të rëndësishëm, le të jenë heronjtë e Kosovës, përfshi heroin Afrim Bunjaku, udhërrëfyes i juaji i përhershëm se si mbrohet shteti e si i dilet zot atdheut.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës është udhërrëfyese e juaja, ndaj do t’u bashkoheni radhëve të Policisë për ta realizuar me vendosmëri përgjegjësinë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në tërë territorin e Republikës sonë si dhe përgjegjësinë për ruajtjen e kufirit tonë në bashkëpunim me të gjithë aleatët tanë, të cilët gjithnjë na qëndruan pranë.

Kërcënimet dhe rreziqet janë përditshmëri e jona, ndaj është domosdoshmëri që Republika e Kosovës me institucionet e saj të jetë anëtare fuqiplotë e Interpolit dhe Europolit.

Të jesh polic nuk është thjesht një profesion, është një mision e një kauzë për një mjedis ku të gjithë ndihen të sigurt e të lirë.

Kjo punë kërkon guxim përballë vështirësive, dhembshuri e përkrahje në momente të caktuara dhe përkushtim të palëkundur ndaj betimit të cilin do ta bëni të gjithë sot.

Ju jeni me uniformë, por jeni pjesë e qytetarëve, sepse do t`u shërbeni atyre, do të na shërbeni të gjithë neve, e mbi të gjitha do t’i shërbeni Republikës sonë, duke na bërë të gjithëve të ndihemi të sigurt.

Po e filloni një rrugë përplot sfida, por dijeni se ju jeni shpresa e atyre që u shërbeni! Shpresa e gjithë qytetarëve tanë!

Përderisa vazhdimisht përballemi me sfida të sigurisë, mos të harrojmë edhe në këto momente 5 policë të Republikës sonë po mbahen peng nga një shtet shovinist, nga Serbia.

Prandaj, i bëjmë thirrje të gjithë aleatëve tanë që ta ngrisin zërin dhe t’i rrisin përpjekjet, që të ndalin mizoritë dhe veprimet e tilla shoviniste kundër qytetarëve tanë dhe kundër policisë sonë.

Por, jam e bindur se betimi i sotëm dhe të gjithë këta kadetë, dhe ky grup multietnik është përgjigjja më e fuqishme kundër përpjekjeve të tilla.

Në duart tuaja të dashur kadetë, në duart tuaja polic të Republikës sonë, qëndron e ardhmja e qytetarëve tanë, ndaj ju takon që ta formësoni atë me guxim, përkushtim e vendosmëri të palëkundur, për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim etnie.

 

Zoti ju bekoftë në rrugëtimin tuaj të shenjtë!

Të nderuar familjarë, jini krenarë me bijtë e bijat tona, bijtë e bijat tuaj, me gardianët e Republikës sonë!

Zoti ju bekoftë!

Ju faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.