I nderuar Kryeministër në detyrë zoti Kurti,
I nderuar Gjenerallejtënant Jashari,
Staf komandues e akademikë të Akademisë sonë të Mbrojtjes,
Të dashur ushtarë, nënoficerë e oficerë të Forcës së Sigurisë së Kosovës,
Ushtarakë e zyrtarë të vendeve partnere,
Të dashura kadete e kadetë të gjeneratës 2025,
Të dashur prindër e familjarë,
Qytetarë të dashur,
Nuk ka nder më të madh se sa t’i shërbesh atdheut me zemër, me betim dhe me uniformë.
Kjo thënie ju atribuohet sot juve të nderuar të diplomuar kadetë të gjeneratës 2025 të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ju sot jeni gjeneratë me fat, sepse kurorëzimi i suksesit tuaj po koicindon me 20 vjetorin e themelimit të Qendrës për Studime Universitare, asetit tonë kombëtar, që përgjatë 20 viteve, nxori qindra oficerë dhe oficere, të cilët na kanë bërë e po na bëjnë krenar, jo vetëm me sukseset në rritën dhe forcimin e ushtrisë sonë, por edhe me sukseset e panumërta në arenën ndërkombëtare.
Kjo ceremoni nuk shënon vetëm fundin e një etape, por fillimin e një përgjegjësie të shenjtë, të re për secilin prej jush. Ndaj jemi krenarë me të gjithë ju, brez i ri që ka zgjedhur të jetë në shërbim të lirisë, të paqes dhe mbrojtjes së atdheut tonë të dashur.
Toka jonë e ka njohur dhembjen e sakrificën për shekuj me radhë, por mbi të gjitha ka lindur nga qëndresa.
Forca juaj është trashëgimia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe amaneti i dëshmorëve që flijuan gjithçka për lirinë që ne e gëzojmë sot.
Ju jeni besimi ynë se Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë në duar të sigurta, të ndershme dhe të vendosura.
Gjenerata 2025, ju jeni pasqyra e një force që ecën me hap të sigurtë drejt NATO-s, drejt standardeve më të larta të mbrojtjes dhe drejt rolit të saj të denjë në mbrojtjen e paqes brenda dhe jashtë kufijve tanë.
Të dashura kadete e kadetë,
Në rolin tim si Komandante Supreme e FSK-së, jam e vetëdijshme për kuptimin e hapit tuaj të para katër viteve kur prekët ëndrrën tuaj për t’u bërë kadetë të Akademisë së Mbrojtjes dhe rëndësinë e rrugëtimit tuaj plot sfida për të arritur në ditën e sotme.
Ju në të gjitha nivelet dhe në të gjitha programet, jeni formësuar dhe zhvilluar në liderë me karakter, që përvetësojnë idealet e shenjta të detyrës, nderit dhe atdheut, të ndërlidhura me vlerat dhe standardet më të larta të ushtarakëve me etikë dhe profesionalizëm maksimal.
Besnikëria, detyra, respekti, shërbimi vetëmohues, nderi, integriteti dhe guximi, tanimë janë mishëruar në qenien tuaj shpirtërore, mendore dhe fizike.
Sot, me uniformë në trup dhe me betim në zemër, ju bartni emrin e Republikës së Kosovës. Kudo që do të shkoni, emri juaj do të dëshmojë se ky vend ka djem e vajza të aftë, të disiplinuar, të guximshëm dhe krenar.
Ju jeni trajnuar me modulin arsimor e stërvitor sipas doktrinës së ushtrisë amerikane dhe standardeve të NATO-s, dhe të gatshëm për të realizuar misionin dhe detyrat e shenjta në operacionet e përbashkëta shumëkombëshe, krah për krah me kolegët e forcave të vendeve aleate në shërbim të mbrojtjes së vlerave euroatlantike të demokracisë, paqes, stabilitetit dhe sigurisë kontinentale e globale.
Mos harroni kurrë se detyra juaj nuk është vetëm ta mbroni territorin, por mbi të gjitha dinjitetin e një populli që ka sakrifikuar shumë, të ruani paqen dhe të jeni gjithmonë në anën e drejtë të historisë.
Të dashura oficere dhe oficerë të rinj,
Nga sot me betimin tuaj për besnikërinë ndaj detyrës dhe Republikës, i bashkoheni me nder korpusit të oficerëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës si komandantë togjesh, të përgatitur, të përkushtuar dhe të denjë për uniformën që mbani.
Të nderuar prindër dhe familjarë,
Ju falënderoj nga zemra për mbështetjen tuaj të palëkundur. Ju ishit forca që i ngriti, i rriti, i frymëzoi dhe i udhëhoqi në rrugën e shërbimit me integritet dhe dashuri për atdheun, këta kadetë e kadete.
Po ashtu sot, përveç kësaj date të rëndësishme ku po diplomojnë kadetët tanë, ne sot i bashkohemi popullit amerikan në festën e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
I bashkohemi shtetit tonë mik, shtetit tonë aleat, shtetit që na qëndroi pranë përgjatë kapitujve më të errët të historisë, por edhe që po na qëndron pranë në çdo sukses të Republikës sonë dhe në çdo hap përpara të forcës sonë.
Në cilësinë e Komandantes Supreme të FSK-së dhe në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, ju uroj titullin Oficer i Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Paçi shërbim të ndritur, me përkushtim, vendosmëri dhe dinjitet.
Ju jeni e ardhmja e sigurt e Kosovës!
Marshoni përpara me nder, guxim dhe besnikëri ndaj popullit, flamurit dhe Republikës së Kosovës!
Zoti e bekoftë ushtrinë e Kosovës!
Zoti e bekoftë Republikën tonë, qytetarët tanë dhe aleatët tanë!
Zoti ju bekoftë në rrugëtimin tuaj të shenjtë!
Ju faleminderit!
