...

Fjalimi i Presidentes Osmani me rastin e certifikimit të 344 rekrutëve të rinj të FSK-së

I nderuar kryeministër Kurti,

I nderuar komandant i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari,

I nderuar ministër Maqedonci,

Të nderuar përfaqësues të institucioneve,

Të dashur ushtare e ushtarë të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës,

Ushtarë, nënoficerë dhe oficerë të FSK-së,

Të dashur ushtarakë e zyrtarë të forcave aleate,

Të dashur familjarë, familje krenare për bijtë e bijat tuaja,

Të nderuar përfaqësues vendorë dhe ndërkombëtarë,

Të dashur qytetarë,

Ushtria nuk është thjesht një forcë e armatosur, ushtria jonë është një betim i përhershëm për atdheun tonë, është një përkushtim ndaj sigurisë dhe një garanci për paqen.

Sot është një ditë e veçantë për ju dhe për gjithë Republikën e Kosovës! Sot, 344 djem dhe vajza i bashkohen radhëve të FSK-së, duke u bërë kështu pjesë e një misioni të shenjtë – mbrojtjes së atdheut të tyre, garantimit të sigurisë dhe mbështetjes së paqes në vendin tonë e përtej tij.

Të dashur ushtarë, ju keni kaluar një rrugëtim plot sfida, disiplinë dhe përkushtim. Me këtë certifikim, ju nuk mbani vetëm një titull, por mbi të gjitha një përgjegjësi të madhe për të ruajtur vlerat dhe dinjitetin e shtetit tonë.

FSK-ja është më shumë se një forcë, ajo është simbol i përkushtimit dhe i sakrificës, është dëshmi e forcës së shtetit tonë.

Ju jeni pjesë e një force që çdo ditë po rritet e po zhvillohet, duke ndërtuar një ushtri moderne, profesionale dhe të gatshme për t’u përballur me çdo sfidë. Me punën dhe përkushtimin tuaj, ju do të vazhdoni ta mbani FSK-në krenarinë më të madhe të shtetit tonë si dhe aleat të besueshëm të partnerëve tanë ndërkombëtarë.

Të dashur ushtarë,

 

Rruga jonë euroatlantike është e qartë dhe e pakthyeshme.

Me profesionalizmin dhe përgatitjen e bijave e bijve tanë ushtarakë profesionist, po dëshmojmë se Kosova ka një ushtri të fortë e të denjë për të qenë pjesë e strukturave të mbrojtjes dhe sigurisë ndërkombëtare, në shërbim të paqes e sigurisë dhe stabilitetit global.

Forca e Sigurisë së Kosovës po marshon fuqishëm përpara në procesin e zhvillimit dhe avancimit, si forcë moderne, e mirëpajisur dhe e mirëtrajnuar.

Ushtria jonë çdo ditë e më shumë po dëshmon gatishmërinë e saj të plotë për të përmbushur standardet më të larta të NATO-s, aty ku Kosova e ka vendin dhe e meriton vendin.

Ju, të gjithë sot që u betuar, por secili ushtarë tjetër i FSK-së, jeni pasardhës të drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët sakrifikuan gjithçka për atdheun në momentet më të rënda të historisë sonë.

Prandaj, mbajeni këtë uniformë me krenarinë më të madhe.

Në këtë ditë, është momenti që t’i kujtojmë të gjithë ata që dhanë gjithçka për atdheun, përfshirë edhe më të shtrenjtën jetën e tyre. Të kujtojmë dëshmorët tanë, të kujtojmë heronjtë tanë e të kujtojmë edhe martirët, të cilët po i përkujtojmë në ditët përkujtimore të masakrave këto ditë.

Në këtë ditë, është po ashtu momenti i natyrshëm i falënderimit dhe mirënjohjes më të lartë për të gjithë vendimmarrësit dhe zbatuesit politik e ushtarak të operacionit të NATO-s, 26 vite më parë, në mbrojtje të popullit tonë nga regjimi gjenocidal i Serbisë.

Edhe sot, shpreh falënderimin dhe mirënjohjen e lartë për aleatët tanë, të prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për gjithë ndihmën dhe përkrahjen e vazhdueshme jo vetëm në kohët e rënda, por edhe sot kur ne po zhvillojmë dhe avancojmë ushtrinë tonë në nivelin që na bënë krenar të gjithëve.

Të nderuar ushtarë të rinj,

 

Nga sot, ju jeni më shumë se sa individë që vishni një uniformë ushtarake.

Ju jeni trashëgimtarë dhe mbrojtës të lirisë së Kosovës, lirisë së fituar me sakrifica të panumërta nga breza të tërë të paraardhësve tanë.

Ju jeni energjia dhe forca e re e Ushtrisë së ndërtuar mbi vlerat e lirisë, demokracisë dhe paqes – të Ushtrisë e cila gjithnjë e nderon të kaluarën e lavdishme por edhe ndërton të ardhmen e sigurt.

Të jeni pjesë e Forcës së Sigurisë nuk është thjesht një profesion. Është një thirrje, një mision, një nder dhe përgjegjësi e lartë.

Sot, ju do të bëni betimin tuaj si ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, dhe ky nuk është thjesht një akt formal, por një angazhim i shenjtë, një zotim solemn që do t’ju udhëheqë gjatë gjithë jetës suaj ushtarake.

Ky betim kërkon nga ju përkushtim të palëkundur, gatishmëri për t’u përballur me çdo sfidë dhe besnikëri të plotë ndaj popullit dhe vendit tonë, të cilën ju tashmë e keni.

Në këtë ditë të veçantë, shpreh mirënjohjen më të thellë për familjet tuaja, të cilat ju kanë qëndruar pranë gjithë ushtarëve tanë të rinj.

Sot, të dashura familje, nëna e baballarë, motra, vëllezër e fëmijë, bashkëshortë, sot vajzat dhe  djemtë tuaj nuk janë më thjesht vetëm fëmijët tuaj – ata janë fëmijët e gjithë Kosovës, ata janë ushtarët e Kosovës, ata janë mbrojtësit më të denjë të atdheut tonë.

Sakrifica juaj, mbështetja dhe dashuria juaj e pafund për vendin ka qenë themeli i forcës së vajzave dhe djemve tuaj për të arritur me sukses të plotë deri në këtë moment.

Të nderuar rekrutë e ushtarë,

Me këtë uniformë që vishni sot, ju mbani mbi supe emrin e Republikës së Kosovës. Ju jeni brezi që do të garantojë paqen dhe sigurinë për qytetarët tanë. Ju jeni ata që do ta çoni përpara misionin e atyre që sakrifikuan për këtë shtet, ju jeni ata që do ta mbroni amanetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të patriotëve të shumtë të tjerë ndër breza.

Ju uroj sukses në këtë rrugëtim të ri. Shteti ynë ka nevojë për ju. Kosova beson në ju!

Përpara me nder, guxim dhe përkushtim!

Lavdi të gjithë të rënëve për liri!

Zoti e bekoftë Ushtrinë e Kosovës!

Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës, qytetarët tanë dhe aleatët tanë!

 

Ju faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.