...

Fjala e U.D. Presidentes Albulena Haxhiu mbajtur në meshën kushtuar Don Kelmend Spaqit

Sot, në këtë të hënë të Pashkëve, po e përcjellim në amshim një meshtar, por edhe një figurë që në momentet më të vështira të historisë sonë u bë muri mbrojtës për jetën dhe dinjitetin njerëzor.

Veprimtaria e tij është dëshmi e një përkushtimi të plotë ndaj njeriut, ndaj besimit dhe ndaj atdheut.

Për 33 vite meshtarie, Don Kelmendi shërbeu si udhërrëfyes në kohë paqartësie, mbështetje në kohë frike dhe zë i qëndrueshëm i së vërtetës.

Ai jetoi me bindjen e thellë se feja dhe atdheu nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën, madje ai e dëshmoi se si këto dyja e forcojnë njeriun për t’i shërbyer tjetrit. Në këtë kuptim, motoja e tij “për Fe, Atdhe e Liri” ishte edhe mënyrë jetese.

Në ditët më të rënda të historisë sonë, kur dhuna dhe pasiguria synonin të shpërbënin jo vetëm jetën, por edhe besimin tek njëri-tjetri, Don Kelmendi qëndroi pranë njerëzve.

Në Gllogjan të Pejës, në pranverën e vitit 1999, ai i hapi dyert e kishës “Shna Ndou”, apo siç njihet në popull Kisha e Shpresës, ku strehoi qindra qytetarë që u dëbuan me dhunë nga forcat paramilitare dhe ushtarake serbe. Po aty Don# Kelmendi, me ndihmën e motrave të nderit, trajtoi edhe njerëz të plagosur dhe asistoi edhe nënat e reja në kujdesin për foshnjat e tyre. Më 4 prill 1999 forcat paramilitare dhe policore serbe ia ndërprenë meshën, dhe nën kërcënimin e armës, i kërkuan të ndajë komunitetin katolik prej atij mysliman. Dhe ai u përgjigj se këtu nuk ka as katolikë dhe as myslimanë, por ka vetëm civilë të pambrojtur. Plot guxim dom Kelmendi e artikuloi një të vërtetë themelore: se para se të jemi të ndryshëm, jemi njerëz dhe jemi të një vendi.

Ky qëndrim nuk ishte akt spontan. Ishte rezultat i një karakteri të brumosur me vlera kombëtare, i ndërtuar mbi besimin dhe etikën që nuk negocion me frikën. Ai vinte nga një familje që e kishte njohur përndjekjen. Por kjo nuk e bëri të tërhiqej. Përkundrazi, e bëri më të qartë në qëndrime dhe më të palëkundur në veprim.

Po aq domethënëse ishte edhe mënyra se si ai dhe motrat rregulltare në famullinë e tij e jetësuan bashkëjetesën në praktikë, duke përdorur kambanat e kishës për të lajmëruar iftarin dhe syfyrin, në kohë lufte, për besimtarët myslimanë.

Në këtë frymë ai dha mesazhin e qartë se dinjiteti njerëzor dhe respekti ndërfetar janë më të forta se çdo përpjekje për përçarje. E pikërisht përçarja ishte synim i regjimit të Millosheviçit.

Don Kelmendi ishte njeri i thjeshtë në sjellje, por i madh në vepra. I afërt me njerëzit, i vëmendshëm ndaj nevojave të tyre, gjithmonë i gatshëm për të dhënë, pa kërkuar asgjë në këmbim.

Ndarja e tij nga jeta, pikërisht në të Enjten e Madhe, në ditën e themelimit të meshtarisë, i jep një simbolikë të veçantë këtij largimi. Jeta e tij u sos pikërisht aty ku kishte nisur thirrja: në shërbim.
Prandaj sot po e përcjellim në amshim një meshtar dhe patriot që jetën e tij e vuri në shërbim të të tjerëve, një njeri që la pas një shembull të shkëlqyeshëm, që nuk do të zbehet me kohën.

Në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, shpreh mirënjohjen më të lartë institucionale për jetën dhe veprën e tij.
Don Kelmendi na e la këtë trashëgimi të cilën ne e kemi përgjegjësi: ta ruajmë dhe t’i përcjellim tutje vlerat që ai mishëroi sepse figura të tilla nderohen vetëm duke i pëcjellur tutje vlerat që na i lënë pas.

Ngushëllimet më të sinqerta për familjen Spaqi, për Kishën Katolike dhe për të gjithë ata që e njohën dhe e deshën.

I përjetshëm qoftë kujtimi për Don Kelmend Spaqin.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.