presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Sejdiu: Xhema bëri një jetë lufte për Kosovën

“Ata që kanë vrarë Xhemail Mustafën, Enver Malokun dhe të tjerët kanë bërë përpjekje për të vrarë lirinë e Kosovës”, theksoi Presidenti Sejdiu. Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu vendosi kurora lulesh para bustit të publicistit, veprimtarit e intelektualit të shquar Xhemail Mustafa, në përkujtim të nëntëvjetorit të vrasjes së tij.

Në prani të familjes Mustafa dhe të qytetarëve të tjerë, që ishin mbledhur pranë bustit të Xhemail Mustafës, në oborrin e shkollës fillore “Xhemail Mustafa” në Prishtinë, Presidenti Sejdiu foli me nostalgji për njohjen me Xhemën që nga mosha e fëmijërisë. “Unë sot dola bashkë me bashkëpunëtorët dhe anëtarët e familjes Mustafa që të vëmë lule te busti i të urtit, kolosit të fjalës së shkruar shqipe dhe njeriut të urtësisë politike, Xhemail Mustafës. Unë mund të them se ka qenë privilegj i veçantë për mua personalisht që ta njoh nga koha e hershme e fëmijërisë bashkë me Enver Malokun. Sikur njëri, edhe tjetri pësuan në kohën kur më së tepërmi i duheshin Kosovës”, tha Presidenti Sejdiu. Po ashtu, Presidenti Sejdiu pohoi se përkushtimi i jetësor i Xhemail Mustafës dhe Enver Malokut është gjurmë e pashlyeshme edhe për të kaluarën e veprimeve shumë energjike që kanë pasur, por edhe për ecjen tonë të mëtejshme.Duke folur më tej rreth punës dhe veprimtarisë së Xhemail Mustafës, Presidenti Sejdiu tha se ai ka qenë miku më i ngushtë i Presidentit Rugova dhe ndër iniciatorët e parë për formimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës. “Xhemail Mustafa ka qenë nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Presidentit Rugova dhe një nga ideatorët e parë të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës si forcë homogjenizuese politike e të gjithë shqiptarëve të Kosovës në luftën për liri dhe pavarësi, dhe roli i tij ka qenë me përkushtim me dijen e tij të veçantë dhe penën e mprehtë, por edhe në aksionet politike”, vijoi Presidenti Sejdiu, duke shtuar se amaneti i Xhemës për Kosovën duhet të kryhet deri në fund, porositë e tij të lëna në shumë shkrime dhe analiza të ndryshme, si dhe veprimet e tij politike, duhet të jenë udhërrëfyes për ne të gjallët, të sotshmit dhe për ata të ardhshmit.“Për ne mbetet që ta kemi përherë në kujdes amanetin e tij. Them gjithmonë në kryerje e sipër, se s’është kryer gjithë ajo që Xhema e ka dashtë, posaçërisht në ecjen e zhvillimeve edhe më të shpejta që duhet t’i ketë ky vend. Kujtoj pikërisht porositë e tij të lëna në shumë shkrime, në shumë analiza, po edhe në veprimet politike, të cilat janë një drejtues i mirë për ne të gjallët dhe në veçanti them edhe për brezin e ri, për njerëzit që do të mësojnë në këtë shkollë dhe në shkolla e tjera të Kosovës, por edhe njerëzit që do të dinë të punojnë në artin e shkrimit, qoftë në gazetari, qoftë në publicistikë”, tha Presidenti Sejdiu.Në fund Presidenti Sejdiu theksoi se Xhema bëri një jetë lufte për Kosovën.“Ishte njeriu që bëri një lutje për Prishtinën. Unë e them nga shpirti bëri një jetë lufte për Kosovën. I tillë ishte Xhema dhe lavdi i qoftë veprës dhe përkushtimit të tij”, theksoi në fund  Presidenti Fatmir Sejdiu.Ndërsa, i pyetur nga gazetarët se a është vënë në vend drejtësia në rastin e vrasjes së Mustafës, Presidenti Sejdiu tha: “Jo, nuk është vënë. Unë them se është borxh i institucioneve të vendit të punojnë për ndriçimin e këtij rasti dhe shumë të tjerave. Jo vetëm të këtij kaq të dhembshëm që e kemi, por janë edhe raste të tjera për të cilat drejtësia duhet të shkojë deri në fund, sepse do të jetë prehje e ndërgjegjes së gjithë njerëzve të mirë të Kosovës, për të parë se çfarë ka ndodhë. Ata që e kanë vrarë Xhemail Mustafën, Enver Malokun dhe të tjerët, kanë bërë përpjekje për të vrarë lirinë e Kosovës”.    

This site is registered on wpml.org as a development site.