Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu ka marrë një mesazh urimi nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, dr.Bamir Topi, me të cilin ai përgëzon për organizimin dhe zhvillimin e suksesshëm të zgjedhjeve lokale të 15 nëntorit në Kosovë.
Në mesazh thuhet:“I nderuar Zoti President,I dashur mik,Me gëzim të veçantë, në emër të popullit të Shqipërisë dhe timin personal, dëshiroj t’Ju përshëndes dhe t’Ju përgëzoj për organizimin e suksesshëm të zgjedhjeve vendore të 15 nëntorit, zgjedhjeve të para të pas pavarësisë së Kosovës!Populli i Kosovës, të gjitha subjektet politike pjesëmarrëse dhe strukturat organizuese të zgjedhjeve dëshmuan ditën e diel dhe më tej, pjekuri dhe përgjegjësi qytetare e politike, treguan në mënyrë të pakundërshtueshme se janë të aftë të ndërtojnë një shoqëri të barabartë dhe të lirë për shtetasit e saj. Pjesëmarrja e lartë dhe gjithëpërfshirja etnike në këto votime janë gur prove se proceset e rëndësishme të integrimit, të kohezionit dhe të harmonisë ndëretnike në shoqërinë e Kosovës kanë hedhur hapa konkretë, të rëndësishëm dhe të pakthyeshëm. Jam i bindur se, nëpërmjet këtyre zgjedhjeve, Kosova provoi rëndësinë e saj si faktor stabiliteti e sigurie në rajon dhe garantoi partnerët ndërkombëtarë se është e vendosur në integrimin e saj euroatlantik. Zoti President, dëshiroj edhe një herë që në këto momente të rëndësishëm për popullin e Kosovës t’Ju shpreh qëndrimin e palëkundur të Shqipërisë për të mbështetur Kosovën në hapat e saj të njohjes ndërkombëtare dhe për të zhvilluar e thelluar marrëdhëniet e shkëlqyera e miqësore që ekzistojnë mes dy vendeve tona”.