presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Sejdiu: Vizioni ynë themelor – zhvillimi i paqes dhe i demokracinë në Kosovë

Sot, në një ceremoni të veçantë të mbajtur në Ferizaj diplomoi gjenerata e dytë e kadetëve të Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK). Të pranishëm, në këtë ceremoni ishin Komandanti Suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës njëherit edhe President i vendit, dr. Fatmir Sejdiu, komandanti i KFOR-it, gjenerali Markus Bentler, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Sulejman Selimi, ministri i FSK-së Fehmi Mujota, zëvendësministri i FSK-së Behxhet Brajshori, si dhe zyrtarë të tjerë.

President i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, në një fjalë rasti, ditën e sotme e quajti një ditë të veçantë dhe historike në zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së.“Promovimi i gjeneratës së dytë të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga baza civile është një dëshmi e fuqishme e punës së madhe që është bërë” tha Presidenti Sejdiu, duke falënderuar me këtë rast të gjithë oficerët e kësaj force, si partnerët e përhershëm, oficerët e NATO-së.“Forca e Sigurisë së Kosovës, që me kapacitetet e para dhe deklarimet e tyre, ka treguar seriozitetin e saj se e ka përnjëmend. Orientimi dhe vizioni themelor i yni dhe i gjithë këtyre njerëzve që i kemi para vetes është të mbajmë dhe të zhvillojmë paqen dhe demokracinë në Kosovë”, tha Presidenti Sejdiu.Duke folur rreth rrugëtimit në të cilin ka kaluar vendi ynë dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, Presidenti Sejdiu rikujtoi një mesazh të lënë nga miku i madh i shqiptarëve Bill Kllinton. “Më kujtohet në këtë sallë të bukur, presidenti Klinton fotografia e të cilit ekziston sot këtu para nesh, pati lënë një mesazh shumë, shumë domethënës për Kosovën: “S’mund të harroni asnjëherë atë që keni përjetuar si popull por koha është për të mbajtur paqen dhe lirinë e gjithë qytetarëve”, shtoi Presidenti Sejdiu, në ceremoninë e organizuar në sallën “Bill Klinton” në Ferizaj.Presidenti Sejdiu tha se liria dhe paqja e kanë ndërlidhjen e fuqishme mes vete dhe duhet të ekzistojnë gjithmonë. “Ne në Kosovë lirinë e kujtojmë liri për të gjithë njerëzit e saj, pa dallim etnie dhe pa dallime të përcaktimeve tjera partiake apo të tjera. Përpjekja për paqen do të thotë paqe në Kosovë, paqe në rajon dhe natyrisht e them po kështu se Forca e Sigurisë së Kosovës në ecjen e saj, në lëvizjen e saj do të jetë partnere e mirë në operacione të paqes në të ardhmen”, tha Presidenti Sejdiu.Duke pasur parasysh investimet e mëdha që janë bërë dhe këto kualitete të deklaruara, ne jemi të bindur se do t’ia arrijmë. Duhet të kemi parasysh se vërtet Kosova në këto dy vitet pas mëvetësisë së saj ka dëshmuar qëndrueshmërinë e saj si shtet në të gjitha rrafshet e rëndësishme. Kapacitetet e saj institucionale, pra edhe në Forcën e saj të Sigurisë, janë një dëshmi e drejtpërdrejtë. Sot them, si Komandant Suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe si President i vendit, jam shumë i lumtur që shohë edhe fëmijët e Kosovës brenda këtu, familjarët e juaj këtu, jam shumë i lumtur që në fytyrat e tyre është gëzimi, në fytyrat e tyre është kureshtja, sepse ka ardhur një kohë që njerëzit e Kosovës t’i duan dhe t’i respektojnë njerëzit që e mbrojnë lirinë e Kosovës”, tha Presidenti Sejdiu, duke iu drejtuar kadetëve të rinj dhe familjarëve të tyre të shumtë në sallë.Në fund, Presidenti Sejdiu tha se gjithmonë duhet të kemi parasysh traditën e brezave para nesh që janë sakrifikuar dhe duhet të kemi parasysh amanetin e përbashkët për zhvillimin e vendit.“Duke e pasur parasysh traditën e shkëlqyeshme të të gjithë brezave para jush, të njerëzve që janë shkrirë dhe janë sakrifikuar për lirinë e vendit, ju them se mbi këtë traditë dhe mbi këtë amanet të përbashkët do të zhvillojmë Kosovën e të gjithë qytetarëve”, theksoi Presidenti Sejdiu.Në fund të ceremonisë, Eprorët e NATO-s ua kaluan eprorëve të FSK-së, përgjegjësitë për trajnimin e mëtutjeshëm të pjesëtarëve të FSK-së.

This site is registered on wpml.org as a development site.