DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Sejdiu përshëndet përmbylljen e seancave dëgjimore në GJND, pret njohje të reja të shtetit të Kosovës

Me rastin e përfundimit të seancave dëgjimore në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në Hagë, Presidenti i Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu shpreh konsideratën e lartë për urtësinë e udhëheqjes së procesit nga ana e Gjykatës dhe njëherit shpreh falënderimin për të gjitha vendet, të cilat, përmes përfaqësuesve të tyre, prezantuan edhe një herë argumentet e fuqishme, të cilat kanë qenë edhe determinuese për pavarësinë e vendit.

Delegacioni i Republikës së Kosovës ka bërë në GJND një prezantim shumë të suksesshëm, duke ritheksuar se pavarësia e Kosovës është shpallur sipas vullnetit të popullit dhe në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe duke ofruar argumente të mjaftueshme për ta dokumentuar këtë.Presim se edhe zhvillimet në vijim do të kenë epilogun e tyre të drejtë, duke evaluuar pozitivisht të gjitha zhvillimet që ka kapërcyer Kosova, si argumente të qëndrueshmërisë së shtetit.Kërkesa për ta pasur këtë shqyrtim në gjykatë nga ana e Serbisë, e cila ka pretenduar ta mbajë Kosovën si koloni të vazhdueshme dhe me dhunë, ka qenë një tentim për të penguar proceset e zhvilluara pozitive në Kosovë dhe të njohjeve ndërkombëtare, që po i bëjnë vendet anekënd botës.Jemi shumë të bindur se, edhe shumë prej vendeve që, për një arsye a për një tjetër, kanë pritur seancat dëgjimore në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, do të marrin qëndrim të drejtë me njohjen e shtetit të Kosovës dhe mbështetjen e saj për anëtarësim edhe në mekanizmat e tjerë ndërkombëtarë, siç kanë vepruar edhe me rastin e anëtarësimit të Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore.

This site is registered on wpml.org as a development site.