Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu ka marrë pjesë në manifestimin e shënimit të njëvetorit të vendosjes së misionit të EULEX-it në vendin tonë.
Në një fjalë mbajtur me këtë rast, Presidenti Sejdiu falënderoi drejtuesit e këtij misioni dhe vendet prej nga ata vijnë për mbështetjen e vazhdueshme që po i japin Kosovës si dhe për bashkëpunimin e mirë dhe reciprok.“Është bërë një punë e madhe, në një vit të sfidave të mëdha për Kosovën, por kemi zgjedhur rrugën më të mirë, rrugën e bashkëpunimit, të mirëkuptimit të thellë dhe reciprok. Kjo rrjedh si pjesë e mbështetjes dhe si bazë e qëndrueshme e mbështetjes së madhe që i është dhënë Kosovës. Kjo rrjedh nga vullneti i madh i të gjitha vendeve tuaja pjesëmarrëse në kuadër të EULEX-it dhe të investimeve të mëdha për Kosovën. Kjo vjen edhe për zhvillimet e mira që i kemi bërë bashkë tash e 10 vjet, posaçërisht në dy vitet e pas pavarësisë”, theksoi Presidenti Sejdiu.Presidenti Sejdiu u tha të pranishmëve se rrugëtimi i Kosovës drejt anëtarësimit në instancat më të larta ndërkombëtare do të vazhdojë edhe më tej, në bashkëpunim të ndërsjellë me të gjithë vendet përkrahëse të Kosovës, në mënyrë që rruga drejt anëtarësimit në BE dhe në NATO të jetë sa më e shkurtër. “Kosova do të vazhdojë bashkë me ju objektivin e saj për të qenë anëtare e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s. Shpeshherë pyesin sa do të zgjasë kjo rrugë? Do të punojmë dhe do ta shkurtojmë këtë rrugë nëse punojmë me këtë sens të bashkëpunimit të tillë. Ne i dimë kriteret të cilat duhet plotësuar. Ato janë jeta më e mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës, liria dhe të drejtat për secilin qytetar të Republikës së Kosovës, parandalimi i veprimeve të këqija, sundimi i ligjit, respektimi i Kushtetutës dhe i ligjeve të vendit. Nuk shoh njeri në Kosovë, i cili nuk e ka këtë kërkesë që Kosova të jetë dhe i dashur dhe i perspektivës për të gjithë dhe kjo është platforma evropiane dhe e demokracisë”, vijoi Sejdiu.Presidenti Sejdiu tha se fryma e bashkëpunimit dhe e përkrahjes së vazhdueshme që ju po i jepni Kosovës u dëshmua edhe tani me rastin e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.“Me këtë rast dëshiroj të falënderojë për qëndrimin decidiv të Këshillit të Evropës për nxitjen e Kosovës për lëvizje më të shpejt. Këto ditë ka zhvillime të bujshme për Kosovën, është një mbështetje e fuqishme e të gjitha vendeve që e kanë njohur dhe e kanë mbështetur Kosovën në Gjykatën Ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe të gjitha vendet e botës demokratike e dinë arsyen pse Kosova është pikërisht e pavarur dhe se është respektuar vullneti i popullit të saj të lirë. Prandaj, shkëlqesi, u përcillni falënderimet të gjitha vendeve tuaja, u thoni se do jetojmë në paqe, do të jemi partnerë të paqes dhe të sigurisë me të gjitha vendet e rajonit me të gjithë fqinjët tanë. Këto janë mundësitë tona dhe ky është mesazhi ynë”, tha Presidenti Sejdiu.