“Kosova e pavarur do të jetë vend i të gjithë qytetarëve të saj të lirë”, tha Presidenti Sejdiu gjatë një takimi me z. Nils Ragnar Kamsavag, zëvëndësdrejtor i përgjithshëm dhe udhëheqës i Seksionit për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Norvegjisë.
“Ne e kemi pranuar planin e Presidentit Ahtisari, meqë besojmë se ai paraqet zgjidhjen më të mirë për qytetarët e Kosovës dhe për të ardhmen e tyre”, vijoi Presidenti Sejdiu, duke ripërsëritur zotimin e institucioneve të Kosovës për zbatimin e plotë të atij plani që parasheh të drejta të garantuara për pakicat kombëtare dhe respektim të plotë të trashëgimisë së tyre shpirtërore e kulturore.Sa i përket çështjes së shpalljes së pavarësisë, Presidenti ripohoi se institucionet e Kosovës janë në koordinim të plotë me vendet e Bashkimit Evropian, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me vendet e tjera demokratike që e përkrahin pavarësinë e vendit tonë dhe do të vendosin shumë shpejt se kur do të jetë momenti më i mirë për ta rideklaruar në Kuvend vullnetin politik të popullit të Kosovës. Po ashtu, Presidenti Sejdiu veçoi marrëdhëniet shumë të mirë që ka Kosova me vendet e rajonit, me Shqipërinë, me Maqedoninë dhe me Malin e Zi.“Ne shpresojmë që edhe Serbia në një të ardhme të afërt të ndryshojë qasjen e saj, në mënyrë që të krijohen mundësitë për bashkëpunim të mirë fqinjësor në mes dy vendeve tona, sepse kjo do të ishte në interes të të gjithëve”, tha Presidenti Sejdiu.Ndërsa, z. Nils Ragnar Kamsavag, theksoi se vendi i tij ndjek me interesim të gjitha proceset në Kosovë dhe se do të jetë e angazhuar shumë edhe në të ardhmen për ta ndihmuar Kosovën në konsolidimin e jetës demokratike institucionale. Ai premtoi edhe mbështetje për thellimin e bashkëpunimit në fusha të tjera, me theks të veçantë në atë ekonomik.