“E di se ju keni qenë misionarë të mirë të Kosovës në universitetet në të cilat keni studiuar”, u tha Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, një grupi të rinjve tanë, të cilët tashmë i kanë mbaruar me sukses studimet për master në universitete të njohura të Evropës Perëndimore.
Pasi i uroi për rezultatet e arritura dhe mbarimin e suksesshëm të studimeve, Presidenti Sejdiu u premtoi atyre se institucionet e Kosovës, dhe ai personalisht, do të bëjnë gjithçka që është e mundur për t’iu krijuar gjeneratave të reja mundësi për studime të avancuara të të rinjve si brenda, ashtu edhe jashtë vendit.“Jemi në përmbyllje të procesit të statusit të Kosovës, pavarësisë së saj, e cila do të na mundësojë t’i shtojmë kapacitetet këtu në Kosovë, por edhe në sferën diplomatike, ndërsa suksesi juaj na dëshmon se ngadalë po e krijojmë një bazë të mirë të prezantimit të dinjitetshëm të vendit tonë në botë”, vijoi Presidenti Sejdiu.Ndërsa, studentët e njoftuan Presidentin për ecurinë e studimeve të tyre dhe i shprehën atij gatishmërinë për të dhënë kontributin e tyre të pakursyer në të mirë të vendit tonë.