presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Republika e Turqisë ripohon mbështetjen e plotë për Kosovën 

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu priti sot ministrin turk të Shtetit për Bashkëpunim Ndërkombëtar, z. Faruk Çelik, nga i cili mori rikonfirmimin për mbështetjen e plotë dhe të gjithanshme të Republikës së Turqisë për vendin tonë.

“Ne si Qeveri e Republikës së Turqisë kemi qenë pranë vëllezërve kosovarë në ditët e tyre më të vështira dhe do të jemi pranë tyre edhe në ditët e ardhshme të zhvillimit të Kosovës”, tha ministri Çelik, i cili e siguroi Presidentin Sejdiu se Turqia do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në konstituimin institucional dhe konstituimin në fusha të tjera të ndryshme, si në shëndetësi, bujqësi, arsimi etj.
Duke veçuar rolin e Turqisë në të gjitha proceset e deritanishme dhe mbështetjen e veçantë që ky vend i ka dhënë Republikës së Kosovës, qoftë në periudhën para pavarësisë, qoftë pas shpalljes së saj, Presidenti Sejdiu tha se kishte kënaqësinë ta konfirmonte këtë përkushtim që Republika turke ka për Kosovën në vazhdimësi.
“Dua ta falënderoj edhe një herë shtetin turk, qeverinë turke dhe gjithë njerëzit e saj, në këtë rast edhe ministrin që është në Kosovë, për mbështetjen që i kanë dhënë Kosovës”, theksoi Presidenti Sejdiu duke ripërsëritur angazhimet e veçanta të institucioneve tona që Kosova të jetë vërtet një model i mirë dhe që të shërbejë si atdhe i të gjithë qytetarëve të saj, e në këtë rast edhe i komuniteteve pakicë, me një konsideratë edhe për komunitetin turk, i cili është jashtëzakonisht aktiv në proceset e rëndësishme për zhvillimin e Kosovës.
Gjithashtu, Presidenti Sejdiu vlerësoi rolin e veçantë që kanë qytetarët me origjinë nga Kosova në Republikën e Turqisë. Prandaj, vijoi ai, do të kemi para vetes bashkëpunime të rëndësishme ekonomike; provat e deritanishme janë treguar tepër të suksesshme me investimet që Republika e Turqisë ka bërë në Kosovë, qoftë në nivelin e afarizmit bankar, qoftë në nivelet e biznesit,  por edhe në pjesën e arsimimit dhe të edukimit.
I pyetur nga gazetarët për rolin e mëtejmë që mund të ketë Turqia në procesin e njohjes së Republikës së Kosovës nga vendet e Konferencës Islamike, ministri Çelik theksoi se për komunitetin ndërkombëtar dhe për komunitetin kosovar, dihet se çfarë qëndrimi ka pasur dhe ka Turqia lidhur me njohjen e Kosovës.
“Ne jemi duke vazhduar edhe më tutje angazhimin tonë për njohje sa më të gjerë të Kosovës. Jemi të vetëdijshëm se kemi përgjegjësi të madhe të ndikojmë në vendet me të cilat kemi lidhje vëllazërore. Në çdo rast, duhet ta dijë komuniteti kosovar, se qoftë ministrat e Qeverisë sonë, qoftë kryeministri dhe presidenti i Republikës, janë duke u angazhuar edhe më tutje për njohje sa më të gjerë të Kosovës”, pohoi ministri Faruk Çelik.
Ndërsa, Presidenti Sejdiu, duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarëve për paralelet e nxjerra së fundi në opinion në mes dy ish-Gjermanive dhe Kosovës e Serbisë, tha se Kosova është njohur si shtet i pavarur dhe sovran, që nënkupton integritetin e saj të plotë dhe karakterin unitar të shtetit dhe s’mund të ketë rrugë apo qasje çfarë mund të kenë pasur dy Gjermanitë pas Luftës së Dytë Botërore. Fundja, vijoi Presidenti Sejdiu, edhe vetë zhvillimet e mëvonshme kanë treguar se s’është në rregull ajo rrugë që kanë kapërcyer dhe se ka qenë rrugë e vështirë që e ka ndarë një popull.

This site is registered on wpml.org as a development site.