Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu u ka dërguar telegrame Presidentit të Republikës së Shqipërisë, dr. Bamir Topi, dhe Kryeministrit Sali Berisha, të cilëve u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta të popullit dhe të institucioneve të Kosovës për vrasjen e djeshme të katër policëve të shtetit shqiptar në Durrës.
Më poshtë po i japim këto telegrame:
Shkëlqesisë së tij, Bamir Topi,
President i Republikës së Shqipërisë
Në emër të popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për vrasjen mizore të katër policëve, të cilët dhanë jetën e tyre, në qytetin e Durrësit, për të mbrojtur lirinë, dinjitetin njerëzor, paqen dhe sigurinë e të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë.
Lajmin e kobshëm për shuarjen e mbrojtësve të rendit e të ligjit e kemi marrë me tronditje të thellë të gjithë ne në Kosovë, por ju siguroj që tërë populli i Kosovës është me Ju në këto çaste të vështira dhe lutet për viktimat dhe familjet që humbën më të dashurit e tyre.
Ju lutem, i nderuar President, pranoni sigurinë e konsideratës sime më të lartë!
Shpirtërisht dhe në lutje jemi me Ju në këto çaste pikëllimi!
Zoti i bekoftë viktimat e kësaj tragjedie dhe familjet e tyre!
Zoti e bekoftë Republikën e Shqipërisë!
Me respekt
Dr. Fatmir Sejdiu,
President i Kosovës
* * * * * * * * *
Shkëlqesisë së tij, Sali Berisha,
Kryeministër i Republikës së Shqipërisë
Ju shkruaj, në emër të popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, për t’ju shprehur ngushëllimet më të sinqerta për vrasjen e katër policëve, të cilët ranë dje në Durrës, në krye të detyrës, duke mbrojtur ligjin, rendin dhe sigurinë e qytetarëve shqiptarë.
Lajmi për këtë ngjarje të kobshme na ka shkaktuar dhembje të gjithëve në Kosovë. Në këto çaste të zisë, ne lutemi për viktimat dhe familjet që humbën më të dashurit e tyre.
Ju lutem, i nderuar Kryeministër, pranoni sigurinë e konsideratës sime më të lartë, si dhe respektin e madh për luftën tuaj të pakompromis dhe të shtetit shqiptar kundër krimit të organizuar dhe formave të tjera që e cenojnë lirinë, sigurinë dhe të ardhmen evropiane të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë dhe të rajonit tonë në përgjithësi!
Shpirtërisht dhe në lutje jemi me Ju në këto çaste pikëllimi!
Zoti i bekoftë viktimat e kësaj tragjedie dhe familjet e tyre!
Zoti e bekoftë Republikën e Shqipërisë
Me respekt
Dr. Fatmir Sejdiu,
President i Kosovës