DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Republika e Kosovës dhe Republika e Vanuatus nënshkruan marrëveshjen për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike

Nju-Jork, 22 shtator 2010. – Republika e Kosovës dhe Republika e Vanuatus kanë vendosur sot marrëdhënie diplomatike.

Marrëveshja për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovës dhe Vanuatus, shtet që e ka njohur vendin tonë më 28 prill 2010, u nënshkrua nga Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu dhe kryeministri i Vanuatus, Eduard Natapei. Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes ishin të pranishëm edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ministri i Punëve të Jashtme Skënder Hyseni, ambasadori i Kosovës në SHBA, Avni Spahiu, si dhe zyrtarë të lartë të qeverisë së Republikës së Vanuatus. Duke folur me këtë rast, Presidenti Sejdiu i shprehu kryeministrit Natapei falënderimin e popullit dhe të institucioneve të vendit tonë për njohjen e Republikës së Kosovës nga Republika e Vanuatus. “Vendimi juaj ka qenë mbështetje e veçantë dhe inkurajim i mirë për punën tonë, për ecjen tonë në të ardhmen. Çmoj veçanërisht thirrjen që ju bëtë vendeve të tjera të Oqeanisë që ta njohin Republikën e Kosovës”, theksoi Presidenti Sejdiu. Ai e cilësoi nënshkrimin e marrëveshjes për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve “një shenjë të veçantë të sinqeritetit në bashkëpunim dhe bashkëpunimin e mëtejmë në shumë fusha”. “Pavarësisht se jemi larg në kuptimin gjeografik, jemi shumë afër në kuptimin e afrisë dhe të miqësisë mes dy popujve”, tha Presidenti Sejdiu, duke i bërë ftesë kryeministrit Natapei që të vizitojë Republikën e Kosovës. Kryeministri i Vanuatus, Eduard Natapei u shpreh shumë i kënaqur për marrëveshjen e nënshkruar. Sikur edhe në pritjen e organizuar mbrëmë nga ai, kryeministri Natapei bëri edhe një herë thirrje që vendet që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës ta bëjnë këtë sa më parë. Ai pranoi me kënaqësi ftesën për të vizituar Republikën e Kosovës, ndërsa u shpreh se do të angazhohet tek vendet mike të Vanuatus që ta njohin vendin tonë.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.