Presidentja e Republikës së Kosovës zonja Atifete Jahjaga shpreh shqetësimin e saj për aksionin e dhunshëm të Policisë së Republikës së Serbisë në Luginën e Preshevës, e banuar me shumicë dërmuese shqiptare dhe arrestimin e disa të rinjëve shqiptarë nën akuzën për krime të luftës.
Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës vlerëson se aksioni ka motive krejtësisht politike dhe synon të shkaktojë pasiguri tek popullata shqiptare duke nxitur shpërnguljen e saj nga trojet e veta, në këtë pjesë të shtetit të Serbisë dhe duke ia mohuar të drejtat e saj legjitime.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet të trajtohen si qytetarë të barabartë me të gjithë qytetarët e tjerë të Republikës së Serbisë dhe të gëzojnë të drejtat dhe liritë e tyre pa frikë nga përndjekjet policore.
Deklaratat e zyrtarëve të Republikës së Serbisë nuk i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit në rajon dhe pengojnë ndërtimin e marrëdhënieve të mira ndërshtetërore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Serbisë. Pozita e komunitetit serb në Kosovë dhe ajo e komunitetit shqiptar në Serbi duhet të luajë një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona dhe në rrugën e integrimeve euroatlantike.
Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës i bënë thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe autoriteteve serbe që ta zbatojnë plotësisht Marrëveshjen e Konçulit, të lirojnë menjëherë të gjithë të arrestuarit dhe që shqiptarëvve në Luginën e Preshevës t’u sigurojnë të gjitha të drejtat qytetare dhe kombëtare, ashtu siç bëjnë të gjitha shtetet demokratike dhe ashtu si bënë Republika e Kosovës me të gjitha komunitetet etnike.
Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës fton shqiptarët e Luginës së Preshevës që duke respektuar ligjet e vendit dhe në harmoni me konventat ndërkombëtare, të marrin pjesë të gjithë në zgjedhjet në komunat e Medvegjes, të Bujanocit dhe të Preshevës dhe të zgjedhin përfaqësuesit e vet legal dhe legjitim, të kenë pushtetin në këto troje, në mënyrë që vet të vendosin për të ardhmen e tyre Në këtë si gjithëherë do ta kenë përkrahjen e Republikës së Kosovës dhe të gjithë bashkësisë ndërkombëtare.
Zyra e Presidentes të Republikës së Kosovës