Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu së bashku me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, kryeministrin Albin Kurti si dhe me zëvendëskryeministra, ministra, deputetë dhe ish-ambasadorin William Walker, kanë bërë nderime dhe kanë përkujtuar masakrën e Reçakut, në 24 vjetorin e saj.
Postimi i plotë i Presidentes Osmani:
Reçaku dëshmoi se Kosova ishte edhe sfidë e përballjes së botës demokratike me dilemën: a do të dorëzohej një qytetërim i tërë para një barbarie, apo do të vepronte në mbrojtje të vlerave të veta, duke e mbrojtur një popull të shtypur, që rrezikonte të shfarosej nga nje regjim me qëllime gjenocidale?
Prandaj, si popull që sakrifikuam gjithçka për lirinë tonë, sot duhet të luftojmë për kujtesë kundër harresës, gjithnjë duke shikuar kah e ardhmja. Të kthehemi në Reçak e në çdo vend tjetër ku barbaria serbe la gjurmë tmerri, ta themi me zë të lartë se këtu kanë ndodhur krime kundër njerëzimit, siç e tha ambasadori Walker para njëzet e katër vjetësh; ta dëshmojmë të vërtetën e Reçakut e të gjithë Kosovës, sepse vetëm e vërteta ndihmon në ndërtimin e një të ardhmeje të bazuar në paqe.
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR