Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, mori pjesë sonte në pritjen e organizuar nga ambasada e Belgjikës në Kosovë, me rastin e shënimit të Ditës së Mbretit të Belgjikës.
Presidentja Shiroka Pula në fjalën e saj para të pranishmëve tha se për Kosovën, Belgjika është shtet mik, i cili qëndroi pranë nesh në momentet më të vështira të historisë sonë.
Ajo më tej tha se populli ynë nuk e harron solidaritetin e Belgjikës gjatë luftës së viteve 1998–1999, as qëndrimin e saj parimor në mbështetje të ndërhyrjes së NATO-s, për mbrojtjen e jetës dhe dinjitetit njerëzor, duke shtuar më tej se ky solidaritet do të mbetet gjithmonë pjesë e kujtesës sonë kolektive.
Presidentja Shiroka Pula më tej shtoi se Belgjika që nga njohja e pavarësisë së Kosovës, ka mbështetur vazhdimisht shtetndërtimin, zhvillimin demokratik dhe rrugëtimin tonë euroatlantik.
Sipas saj, marrëdhëniet tona po forcohen edhe më shumë, duke theksuar faktin se një urë e veçantë ndërmjet vendeve tona është mërgata e Kosovës në Belgjikë.
Presidentja Shiroka Pula tha se të dy shtetet kanë potencial të madh për ta thelluar bashkëpunimin ekonomik, arsimor, kulturor dhe institucional.
Në fund, Presidentja Shiroka Pula theksoi se Kosova e sheh Belgjikën si partnere të rëndësishme në rrugëtimin e saj evropian.






