presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani, u prit në takim nga kryetari i Rajonit të Kalabrisë, Occhiutto

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e dytë të vizitës në Kalabri, u takua me kryetarin e Rajonit të Kalabrisë, Roberto Occhiuto, me të cilin bisedoi mbi shtrirjen e mëtejme të bashkëpunimit mes Republikës së Kosovës dhe Rajonit të Kalabrisë.

Presidentja theksoi se lidhjet mes vendit tonë dhe Rajonit të Kalabrisë janë të hershme dhe janë të mbështetura në trashëgiminë historike e kulturore. Komuniteti i arbëreshëve, i cili prej shekujsh jeton në disa rajone të Italisë, përfshirë Kalabrinë, përbën pjesë të rëndësishme të diversitetit etnik, gjuhësor e kulturor të Italisë dhe pjesë të rëndësishme të saj.

Presidentja theksoi se kujdesi ndaj të drejtave të bashkësive etnike kontribuon në mënyrë aktive edhe në zhvillimin ekonomik të Italisë. Ajo e falënderoi kryetarin Occhiuto për kujdesin ndaj ruajtjes së identitetit kombëtar të arbëreshëve dhe theksoi se integrimi i plotë dhe kontributi i tyre në jetën socio-ekonomike, u japin marrëdhënieve një dimension tjetër dhe të veçantë. Ajo shpalosi shembullin e Kosovës për mbrojtjen e pakicave dhe theksoi se sa më shumë që përkrahet komuniteti arbëresh në ruajtjen e identitetit kulturor e gjuhësor, aq më shumë do të kontribuojë ky komunitet edhe në zhvillimet e raporteve ndërmjet Italisë dhe hapësirave shqiptare.

“Jemi të bindur se mund të ndiqen politika aktive për respektimin e gjuhëve të pakicave, për të mbrojtur dhe përmirësuar gjuhën dhe trashëgimin kulturore të pakicave gjuhësore dhe historike të Kalabrisë, përfshirë bashkësinë arbëreshe. Përmirësimi i mëtejmë i politikave për ruajtjen dhe promovimin e gjuhës e të traditave është e ndërlidhur me politikat e shkollimit në gjuhën e pakicave”, tha Presidentja Osmani.

Presidentja theksoi se në Rajonin e Kalabrisë është kultivuar tradicionalisht një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë sonë kulturore, përfshirë atë letrare, që gjendet në dokumente e revista shumë të rëndësishme për popullin shqiptar, të cilat duhen ruajtur dhe digjitalizuar, në mënyrë që të shpërndahen më lehtë tek të rinjtë dhe brezat e ardhshëm.

Presidentja dhe kryetari Occhiuto diskutuan edhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe Italisë, përfshirë rajonin e Kalabrisë. Presidentja i ftoi ndërmarrjet, bizneset dhe investitorët italianë që të investojnë në sektorët strategjikë të ekonomisë së vendit.

“Ne duhet t’i afrojmë edhe më tej operatorët tanë ekonomikë e turistikë, në mënyrë që të krijohen itinerare të përbashkëta turistike nga Kalabria për në Kosovë dhe anasjelltas”, tha Presidentja Osmani. Hapja e linjave të drejtpërdrejta të fluturimit mes aeroporteve tona e ndihmon turizmin e ndërsjellë dhe thellimit të lidhjeve me Kalabrinë dhe qytetarët e rajonit.

Po ashtu, në takim u diskutua edhe për mundësinë e bashkëpunimit në bujqësi, duke qenë se të dyja vendet kanë potencial të madh zhvillimi në këtë fushë.

Presidentja Osmani dhe kryetari Okiuto diskutuan edhe për përafrimin e mëtejmë i të të rinjve me kulturën e njëri-tjetrit dhe rritjen e komunikimit ndërmjet dy vendeve tona, sidomos të të rinjve tanë.

“Intensifikimi i bashkëpunimit të të rinjve tanë mund të arrihet më së miri nëpërmjet rritjes së shkëmbimeve akademike, bursave të studimit dhe bashkëpunimit ndëruniversitar”, tha Presidentja Osmani.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.