Në Kozencë gjenden thesare shumë të rëndësishme, siç janë dorëshkrimet e rilindësit Jeronim De Rada, të cilat ndodhen në Bibliotekën e Qytetit të Kozencës dhe gjetiu në Kalabri.
“Digjitalizimi i dorëshkrimeve letrare shqipe të shekullit XIX është pasuri e cila duhet t’u ofrohet studiuesve dhe gjeneratave të reja”, tha Presidentja Osmani.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, zhvilloi një takim edhe me kryetarët e komunave arbëreshe të Provincës së Kozencës. Presidentja i falënderoi ata për përkushtimin e pashoq për kultivimin e gjuhës, kulturës dhe traditave arbëreshe, si pjesë e të rëndësishme e kulturës dhe identitetit shqiptar.
“Ne duam të punojmë së bashku me ju për identifikimin e mundësive për realizimin e projekteve të përbashkëta për ruajtjen, kultivimin dhe përparimin e mëtejmë të traditave tuaja kulturore e gjuhësore”, tha Presidentja.
Presidentja rikujtoi rolin e jashtëzakonshëm, të cilin arbëreshët e kanë luajtur përgjatë historisë në ruajtjen dhe promovimin e identitetit kulturor e politik të shqiptarëve.
Më tej, Presidentja çmoi mënyrën se si arbëreshët kanë krijuar model të vyer për gjithë mërgimtarët se si, duke u integruar në jetën e vendit mikpritës, i kanë kultivuar e ruajtur traditat e veta, duke u shndërruar në qytetarë të suksesshëm të vendit, por edhe kontribuues për kulturën e të parëve.
“Ju i keni dhënë kulturës e trungut etnik, por edhe vendit mikpritës, Italisë, ngjyrat e një kulture të veçantë, e cila është pasuri e vendit dhe e kulturës prej nga vini, por edhe e vendit i cili ju mirëpriti”, tha Presidentja Osmani.
Më tej, Presidentja e shtroi mundësinë e hartimit dhe të realizimit të projekteve për ruajtjen e trashëgimisë gjuhësore e traditave kulturore, nëpërmjet regjistrimit e botimit të kujtesës gojore.
“Rënia e ngadaltë e përdorimit te gjuhës shqipe te brezat e rinj dhe zvogëlimi i popullatës, për shkak migrimit, është sfidë me të cilën ballafaqohen shumë vende, përfshirë edhe rajonet në të cilat jetojnë arbëreshët. Prandaj duhen politika të qarta promovuese”, tha Presidentja.
Ajo nënvizoi domosdoshmërinë e shtrirjes së bashkëpunimit, hartimin e itinerareve turistike dhe shkëmbimeve kulturore, për ta ruajtur lidhjen me tokën e të parëve. Ajo e çmoi bashkëpunimin e komunave arbëreshe, të cilat tashmë janë binjakëzuar me disa komuna të Kosovës.