Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu ka pritur sot në takim Ministrin për Bashkëpunim Zhvillimor dhe Çështje Humanitare të Luksemburgut, z. Franz Fayot.
Gjatë takimit u bisedua për raportet dhe bashkëpunimin e Republikës së Kosovës me Luksemburgun si një nga kontribuesit kryesor në projekte zhvillimore e të cilat janë në dobi të qytetarëve të Kosovës.
Në veçanti, Presidentja Osmani falenderoi z. Fayot për kontributin e vazhdueshëm të Luksemburgut në mbështetje të sektorëve të ndryshëm, përfshirë shëndetësinë dhe arsimin.
Ministri Fayot vlerësoi progresin e gjithmbarshëm në Republikën e Kosovës, duke theksuar në veçanti angazhimin për luftim të korrupsionit dhe sundimit të ligjit.
Palët u dakorduan për bashkëpunim të mëtejmë në drejtim të zhvillimit të kapitalit njerëzor, dhe diskutuan potencialin për investim në fushën e digjitalizimit, energjisë, si dhe në drejtim të mbledhjes dhe gjenerimit të të dhënave si parakusht për politikbërje më efektive.