presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani takoi ministrin e Jashtëm të Danimarkës, sekretarin e Shtetit të Vatikanit për Marrëdhënie me Shtetet dhe drejtoreshën e EUROPOL-it

Në margjina të Konferencës për Siguri në Mynih, në takime të ndara, Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani ka vazhduar takimet e saj, këtë herë me ministrin e Jashtëm të Danimarkës z. Jeppe Kofod, sekretarin e shtetit të Vatikanit për marrëdhënie me shtetet z. Paul Richard Gallager, dhe drejtoren e Europolit znj. Catherine de Bolle.

Në takim me ministrin e Jashtëm danez, Presidentja Osmani bashkë me ministren e Jashtme, Donika Gërvalla vlerësuan lartë marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve dhe përkushtimin e të dyja palëve për avancim të mëtejmë të tyre. Duke falënderuar ministrin Kofod për ndihmën e vazhdueshme të Danimarkës ndaj Kosovës, Presidentja Osmani dhe ministrja e Gërvalla kanë kërkuar vazhdimin e përkrahjes për procesin e liberalizimit të vizave, por edhe për synimet e Kosovës për anëtarësim në BE, NATO, OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova është e interesuar për vazhdimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, me fokus të veçantë tek sundimi i ligjit, agjenda e gjelbër dhe ekonomia.

Në takim me sekretarin e shtetit të Vatikanit për Marrëdhënie me Shtetet z. Paul Richard Gallager, Presidentja Osmani dhe ministrja  Gërvalla shprehën gatishmërinë për bashkëpunim të afërt me Selinë e Shenjtë, duke synuar avancimin e raporteve të ndërsjella.

Presidentja Osmani theksoi se Republika e Kosovës është e gatshme të nënshkruaj marrëveshje me Vatikanin lidhur me çështjet të cilat janë në interes të përbashkët të të dy vendeve.

Ndërsa në takim me drejtoreshën e EUROPOL-it, Presidentja Osmani dhe znj. De Bolle kanë shkëmbyer pikëpamjet e tyre lidhur me situatën e sigurisë në Evropë, duke potencuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit në luftën kundër krimit të organizuar dhe përpjekjet e Republikës së Kosovës për të garantuar sundimin e ligjit. Presidentja Osmani ka rikonfirmuar se sundimi i ligjit mbetet prioritet i institucioneve të Republikës së Kosovës. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.