Presidentja e Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani, priti sot në takimin e parë koordinues ndërinstitucional Kryeministrin Albin Kurti, si dhe Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla Schwarz, Ministrin e Mbrojtjes, z. Armend Mehaj, dhe Ministrin e Shëndetësisë, z. Arben Vitia.
Presidentja Osmani diskutoi me kryeministrin Kurti nevojën e krijimit të mekanizmave të përbashkët koordinues në fushën e politikës së jashtme, mbrojtjes si dhe çështjes prioritare të sigurimit sa më të shpejtë të vaksinave kundër COVID-19. Duke pasur parasysh rëndësinë e këtyre çështjeve, Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti u dakorduan se përpjekjet e përbashkëta, si dhe adresimi i koordinuar i këtyre temave, do të sjellë rezultate më konkrete.
Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti u pajtuan për bashkërendim të rregullt institucional mes institucioneve kyçe të Republikës së Kosovës në realizimin e synimeve të përbashkëta që lidhen me forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe sigurinë kombëtare. Ata po ashtu shprehën gatishmërinë për të vazhduar përpjekjet për adresimin e nevojave të menjëhershme të qytetarëve që lidhen me pasojat shëndetësore dhe ekonomike nga pandemia COVID-19.