presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani: Reçaku ka qenë pikënisja e vendit ku filloi të formësohej liria jonë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani – Sadriu, mori pjesë në hapjen e ekspozitës me rastin e 23 vjetorit të Masakrës së Reçakut.

Presidentja Osmani ka thënë se kur i dëgjojmë rrëfimet e tmerrit qoftë nga i mbijetuari, familjarët, por edhe ata që luajtën rol kyç në dokumentimin  e këtij krimi të tmerrshëm shohim në sytë e secilit prej tyre që edhe 23 vite pas e përjetojnë njësoj siç e kanë përjetuar atë ditë kur ka ndodhur, sepse masakrat që janë kryer kundër popullit tonë kanë qenë aq të tmerrshme, aq të llahtarshme sa që shkojnë përtej imagjinatës njerëzore.

E para  e vendit ka thënë se është gjithmonë vështirë që të gjenden fjalët për të përshkruar tmerrin që ka përjetuar populli ynë, përderisa sundoheshim nga regjimi gjenocidal serb.

“Edhe Reçaku, por edhe masakrat tjera anekënd Kosovës, po e them sërish kanë dëshmuar që ai regjim kishte për qëllim që të na zhdukte nga faqja e dheut. Por, ishte sakrifica e madhe e popullit tonë, mbështetja e miqve tanë që nuk lejuan një gjë të tillë, dhe këtu Reçaku ka qenë pikënisja e vendit ku filloi të formësohej liria jonë. Pra, filloi vërtetë të ndihej era e lirisë dhe qoi deri tek një prej ngjarjeve më të rëndësishme historike në botë, jo vetëm në Kosovë, që ishte edhe intervenimi i NATO-s. Sepse, kjo masakër nuk e zgjoi ndërgjegjen vetëm të njerëzve në Kosovë, por të të gjithë botës”, ka thënë Presidentja Osmani.

Këto fotografi, sipas Presidentes janë disa nga dokumentimet e këtij krimi të tmerrshëm, që ishte krim kundër njerëzimit, por edhe gjenocid ndaj popullit të Kosovës.

“Unë dua t’i falënderoj autorët që në atë kohë e kanë rrezikuar edhe jetën e vet për ta dëshmuar të vërtetën. Si popull i Kosovës, ne nuk themi kurrë asgjë tjetër pos të së vërtetës, dhe nuk do të rreshtim së thëni të vërtetën përkundër faktit që ka përpjekje të mëdha çdo ditë nga ana e Serbisë dhe mbështetësve të saj që ta mohojnë krimin e kryer, që ta mohojnë gjenocidin e kryer duke bërë kështu krim të dyfishtë. Prandaj, edhe sot kemi dashur që së bashku me të gjithë ju t’i shohim këto fotografi të autorëve tanë që ridëshmojnë të gjitha përjetimet e popullit tonë”, ka theksuar Presidentja.

Derisa ka falënderuar gjithsecilin për punën, sakrificën dhe për guximin që kanë treguar atëherë, Presidentja Osmani ka thënë se “Kjo do të thotë shumë edhe për familjarët, do të thotë shumë edhe për gjithë Kosovën si shtet, sepse është shumë me rëndësi që faktet janë aty, dokumentimi i krimit është aty edhe falë punës suaj”.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.