Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim ish-udhëheqësin e komunitetit “Shën Egjidio”, aktualisht udhëheqës i Akademisë Papnore për Jetën, njëherësh kancelar i Institutit Papnor Gjon Pali II, imzot Vincenzo Paglia, dhe ish-zëvendësministrin e Jashtëm Italian, z. Mario Giro, me të cilët bisedoi për raportet e Kosovës me Selinë e Shenjtë dhe me institucionet e saj.
Presidentja Osmani ia shprehu mirënjohjen e Kosovës për kontributin të cilin imzot Paglia e ka dhënë për popullin e Kosovës, duke filluar në vitet ’90 e deri më sot.
“Kosova”, tha Presidentja Osmani, “e konsideron imzot Paglian mik të hershëm dhe e çmon lart kontributin e vazhdueshëm të tij dhe të komunitetit “Shën Egjidio” dhënë populit të Kosovës”.
Presidentja theksoi se raportet me Vatikanin janë të hershme dhe se vlerat të cilat i promovon Selia e Shenjtë, sikur janë liria, paqja dhe harmonia mes njerëzve, janë parime të cilat populli ynë i ka kultivuar historikisht.
Presidentja theksoi, po kështu, se thellimi i mëtejmë i bashkëpunimit me dikasteret dhe institucionet papnore, sikur është Akademia Papnore për Jetën, mund të ndihmojë në promovimin e mëtejmë të këtyre vlerave.
Sipas Presidentes Osmani, Kosova është vend i bashkëjetesës së feve të ndryshme, në të cilin dialogu dhe ndërkomunikimi janë vlera shumë të rëndësishme.
Imzot Paglia, ndërkaq, e falënderoi Presidenten për pritjen dhe theksoi se për të dhe komunitetin “Shën Egjidio”, Kosova vazhdon të mbetet shumë e rëndësishme.