Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim, zyrtaren e lartë të Sekretarit të Shtetit në Zyrën për Çështje Globale të Grave (S/GWI), Katrina Fotovat.
Në takim me znj. Fotovat, Presidentja Osmani ka theksuar se Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë me temë “Ndërtimi i Aleancave për Paqe të Qëndrueshme”, po organizohet për herë të parë dhe përbën një nga zotimet në kuadër të Samitit për Demokraci.
Sipas Presidentes Osmani, Forumi është ngjarja e parë e përmasave të tilla me pjesëmarrës nga 6 kontinente.
Gratë e Republikës së Kosovës, sipas Presidentes Osmani e kuptojnë shumë mirë rëndësinë e kësaj Agjende.
Presidentja Osmani theksoi se gratë e Kosovës janë shembulli në i mirë i angazhimit rreth kësaj agjende. Sipas Presidentes Osmani, ato shquhen posaçërisht për angazhimin aktiv drejt lehtësimit dhe ballafaqimit me pasojat e luftës dhe drejtësinë tranzicionale. Tutje, Presidentja ka veçuar punën e Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës. Sipas Presidentes Osmani edhe gratë nga shoqëria civile kanë ndihmuar, gjithashtu të mbijetuarat e dhunës seksuale.
Presidentja Osmani ka shfaqur bindjen se me përfshirjen e grave në proceset e paqes dhe sigurisë, rriten shanset për paqe të qëndrueshme.
Palët janë dakorduar për bashkëpunim dhe koordinim të rregullt drejt realizimit të projekteve të përbashkëta drejt avancimit dhe zbatimit të Agjendës GPS.