DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani priti në takim presidentin e Shqipërisë, z. Bajram Begaj

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim presidentin e Republikës së Shqipërisë, z.Bajram Begaj, i cili po qëndron në Kosovë për të marrë pjesë në kremtimin e 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Presidenti Begaj ka uruar Presidenten Osmani dhe qytetarët e Kosovës për 15-vjetorin e pavarësisë dhe ka theksuar se Shqipëria do të jetë vazhdimisht në krah të Kosovës duke kontribuar në fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të saj.

Ndërkaq Presidentja Osmani, ka theksuar se Kosova po e kremton 15-vjetorin e shtetësisë së saj në përballje me sfida, por e vendosur për të ecur përpara në forcimin e shtetit dhe e përkushtuar në rrugëtimin euroatlantik.

“Në këtë 15-vjetor të pavarësisë kujtojmë me respekt të gjithë ata që kontribuuan për lirinë, pavarësinë dhe shtetndërtimin, që nga arkitekti i shtetit të Kosovës, presidenti historik, dr.Ibrahim Rugova e deri te vajzat e djemtë e UÇK-së, të udhëhequr nga komandanti legjendar Adem Jashari, shumë nga të cilët ranë heroikisht për lirinë dhe Republikën”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, nga të dy presidentët u vlerësuan jo vetëm miqësore, por vëllazërore, ndaj u zotuan se do të angazhohen për intensifikim të tyre.

Në këtë funksion, Presidentja Osmani vuri në dukje nevojën për një koordinim dhe harmonizim të mëtejmë, posaçërisht në sferën e politikës së jashtme, me ç`rast potencoi nevojën që Shqipëria të jetë zë i fuqishëm i Kosovës në institucionet ku aktualisht Kosova nuk ka përfaqësim.

Të dy presidentët theksuan se Kosova e Shqipëria janë bashkërisht të angazhuara dhe të përkushtuara në mbrojtjen e demokracisë, paqes dhe lirisë dhe se stabiliteti i rajonit është jetik në mënyrë që të dy shtetet të vazhdojnë rrugëtimin evropian.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.