DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Osmani priti në takim përfaqësues të Komisionit të Venecias

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka pritur në takim një delegacion nga Komisioni i Venecias, i përbërë nga raportuesja znj. Grainne McMorrow, zëvendës sekretari z. Schnutz Dürr, si dhe shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë, z. Frank Power.

Gjatë takimit, Presidentja Osmani shpjegoi nevojën e procesit të vetingut në sistemin e drejtësisë të Republikës se Kosovës, me ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe ligjore.

Presidentja Osmani theksoi se një proces i mirëfilltë dhe profesional i vetingut është jetik për ta forcuar sundimin e ligjit, si dhe për të garantuar integritetin, efikasitetin dhe profesionalizmin e sistemit të drejtësisë. Si i tillë, procesi i vetingut ka për synim forcimin e cilësisë së sistemit të drejtësisë, i cili ndikon drejtpërdrejtë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin profesional në mes të Republikës së Kosovës dhe Komisionit të Venecias.

Presidentja Osmani shprehu falënderim për mbështetjen e vazhdueshme që Komisioni i Venecias i ka ofruar Republikës së Kosovës.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.